OKB nis përpjekjet për “çlirimin” e Libisë nga të huajt
Fuqitë botërore mblidhen sot në Berlin për të diskutuar mbi Libinë, një takim i organizuar nga OKB.
Përfaqësuesit e qeverisë së përkohshme të Libisë do të takohen me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si dhe me ministrat e Jashtëm të disa prej vendeve më të fuqishme të botës.
Takimi i sotëm pason atë të janarit të vitit të kaluar, po në Berlin, mbi të njëjtën temë.
Përpara bisedimeve, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, u kujtoi pjesëmarrësve premtimet e bëra në vitin 2020 për t'i dhënë fund ndërhyrjes ndërkombëtare dhe për tërheqjen e militantëve apo trupave të huaja.
"Ata që premtuan të tërhiqen herën e fundit në Berlin nuk e kanë mbajtur fjalën", citohet Maas nga France 24, e cila i referohet intervistës së tij në "Die Welt".
"Por që libianët ta marrin në dorë fatin e tyre, forcat e huaja duhet të largohen. Qeveria kalimtare e ka bërë të qartë këtë", theksoi ai.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, 20 000 luftëtarë dhe mercenarë të huaj janë ende në territorin e Libisë. Dhe kjo prani shihet si një kërcënim për qeverinë e tranzicionit, e mbështetur nga OKB-ja, që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.
Libia u përfshi në kaos pas rënies së Muamar Gedafit, i vrarë gjatë një kryengritjeje të mbështetur nga NATO në 2011. Rënia e Gedafit u pasua nga ngritja e disa forcave që kërkonin pushtetin. Vitet e fundit, Libia është ndarë midis dy administratave rivale të mbështetura nga fuqitë e huaja dhe milicive të panumërta.
Në tetor, forcat e Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare (GNA), me qendër në Tripoli, dhe të mbështetura nga Turqia, shpartalluan ato të gjeneralit Khalifa Haftar, të dy kampet ranë dakord në Gjenevë për një armëpushim.
Pas rënies së ofensivës së Haftar, figurat ushtarake dhe politike në lindje dhe perëndim negociuan një rinisje të eksporteve të naftës.
Ndërkohë, OKB zgjodhi 75 libianë për të zhvilluar bisedime politike mbi një udhërrëfyes. Ata ranë dakord të zëvendësonin dy administratat rivale me një qeveri të përkohshme për të mbikëqyrur zgjedhjet që do të mbahen në 24 dhjetor.
Që prej formimit të kësaj qeverie, situata e sigurisë në Libi është përmirësuar. Megjithatë, OKB paralajmëroi kohët e fundit se përparimi ka ngecur, veçanërisht në një pikë të rëndësishme: tërheqja e të gjithë ushtarëve të huaj.
Udhëheqësit perëndimorë u kanë bërë thirrje vazhdimisht luftëtarëve të huaj që të largohen.
Por mercenarët rusë që mbështesin Haftarin në lindje të vendit janë ende në vend.
Ndërkohë Turqia ka trupa në Tripoli, të cilat argumenton se i ka dërguar në zbatim të një marrëveshjeje dypalëshe me qeverinë, që do të thotë se këto trupa nuk preken nga kërkesa për t’u larguar.
Gjermania e sheh si akt balancues çdo tërheqje nga Libia.
"Forcat e huaja duhet të largohen nga vendi në një mënyrë graduale dhe uniforme, në mënyrë që të mos ketë një çekuilibër të papritur ushtarak që mund të përdoret nga njëra palë për një ofensivë të papritur", tha Maas.
Add new comment