Macron: Vetëm populli i Ruandës mund të na falë për rolin në gjenocid
Vetëm qytetarët e Ruandës mund ta falin Francën për rolin e saj në gjenocidin e vitit 1994. Gjatë vizitës në Kigali, presidenti francez zgjodhi t’u drejtohet direkt ruandasve përmes një fjalimi të mbajtur në Gisozi Memorial Center, ku janë varrosur 250 mijë ruandas të etnisë Tutsi.
"Franca nuk i dëgjoi ata që e paralajmëruan për masakrën e afërt në Ruandë dhe de facto mbajti anën e" regjimit gjenocidial", citohet Macron.
Megjithatë, sipas Macron, kjo nuk e bën Francën bashkëpunëtore në gjenocid.
"Vetëm ata që e përjetuan atë gjenocid mund të na falin ", tha Macron.
Vizita e Macron në Kigali, ku u prit nga homologu Paul Kagame, vjen në kuadër të përpjekjeve të tij për të përmirësuar marrëdhëniet me vendin e Afrikës Qendrore 27 vjet pas gjenocidit.
Vizita pason botimin në mars të këtij viti të një raporti nga një komision i posaçëm hetimor francez, i cili doli në konkluzionin se qëndrimi kolonial i "verboi" zyrtarët francezë dhe se qeveria mbante "përgjegjësi serioze sepse nuk e parashikoi masakrën".
Sidoqoftë, raporti e çliroi Francën nga bashkëpunimi i drejtpërdrejtë në vrasjen e më shumë se 800 000 ruandasve të pakicës Tutsi dhe Hutusi.
Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, i cili më parë ka deklaruar se Franca ishte bërë pjesë e gjenocidit, tha javën e kaluar se raporti "do të thotë shumë" për qytetarët e Ruandës. Qytetarët e Ruandës "mund të mos e harrojnë, por ata mund ta falin" Francën për rolin e saj, tha Kagame, i cili vjen vetë nga pakica Tutsi dhe ka udhëhequr rebelimin që i dha fund gjenocidit.
Macron, i cili u përpoq të distanconte Francën nga e kaluara e saj koloniale, tha në prill se Parisi zyrtar do të hapte arkivat e ish-Presidentit Francois Mitterrand rreth Ruandës, si pjesë e përpjekjeve për të kuptuar më mirë rolin e Parisit në gjenocidin që ndodhi në vendin afrikan.
Add new comment