BE: Pandemia do të na kushtojë 5.85 trilionë dollarë
Pandemia do t’i kushtojë Bashkimit Europian plot 5.85 trilionë dollarë. Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Paolo Gentiloni, tha në një nga komisionet e Parlamentit Evropian se nëse bëhen krahasime me paketën lehtësuese të presidentit amerikan, Joe Biden, BE-ja është pothuajse në të njëjtin nivel.
"Masat e marra deri tani nga vendet anëtare dhe BE arrijnë deri më tani 4.8 trilionë euro", tha ai duke hedhur poshtë kritikat që autoritetet nuk po bënin sa duhet në krahasim me Uashingtonin.
BE, që në total ka një popullsi prej 450 milionë banorësh, ka miratuar një paketë rimëkëmbjeje me vlerë 750 miliardë euro, plus një buxhet prej 1.1 trilionë euro për shtatë vjet, me të cilin synohet mbështetja e ekonomisë së goditur nga Covid-19.
Ndërsa në SHBA, gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë, Biden ka siguruar miratimin e një pakete pandemike 1,9 trilionë dollarë për t'u sjellë lehtësim 330 milionë amerikanëve. Plane të tjera që presin miratimin janë ai i infrastrukturës 2 trilionë dollarë dhe plani studentë-familje-punëtorë 1.8 trilionë dollarë, që në total shkojnë në 6 trilionë dollarë.
“Merrni parasysh, se ne nuk jemi një shtet federal. Kështu që, duhet të marrim parasysh si vendet anëtare, ashtu edhe nivelin e BE-së”, citohet Gentiloni nga Kathimerini.
BE do të ketë kritere të ashpra për shpërndarjen e fondeve te vendet anëtare. Në tërësi, 37% duhet të shpenzohen për projekte të gjelbra, duke filluar nga parqe me erë deri në pistat e çiklizmit. Dhe 20% duhet të shkojnë në projekte dixhitale, përfshirë rrjetet 5G dhe dixhitalizimin e administratës publike.
Fondet do të jepen pjesë-pjesë vetëm pasi vendet anëtare të kenë provuar se ndihma e mëparshme është shpenzuar sipas planit.
Add new comment