Pseudoshkenca dhe misteret arkeologjike të tempullit më të vjetër të njerëzimit

Postuar në 10 Maj, 2021 19:49

Hemisfera Veriore e Tokës ishte e mbuluar nga akullnajat e mëdha të Epokës së Akullnajës kur një grup njerëzish në Turqinë jugore filluan ndërtimin e tempullit të parë të njohur në botë. Ky ndërtim i njohur si Gobekli Tepe u përket 12 000 viteve më parë, madje pjesë të tij duken edhe më të vjetra. Për shkak të moshës dhe përmasave të tempullit, arkeologët po punojnë në të që prej zbulimit të tij në 1994.

Gjatë rrugës, ata kanë zbuluar gdhendje të çuditshme të kafshëve, shtylla të larta guri dhe provat më të hershme të njohura të ritualeve megalitike. Por, vite të tëra hulumtimesh nuk i kanë dhënë ende përgjigje pyetjes: Kush e ndërtoi tempullin dhe pse?

Prej vitesh, Gobleki Tepe ka qenë subjekt i spekulimeve. Disa kanë sugjeruar se mund të ketë qenë një observator astronomik e të tjerë kanë hedhur idenë se aty mund të jetë ajo çka mbetet nga Kopshti i Edenit. Dikush sugjeron që sajti ishte në një linjë me qiellin e natës, veçanërisht yllin Sirius, sepse banorët e asaj zone adhuronin yllin siç bënë kulturat e tjera në rajon mijëra vjet më vonë. Një tjetër pretendon se gdhendjet në Gobekli Tepe tregojnë kometën që goditi Tokën në fund të Epokës së Akullnajave.

Nëse secila prej atyre gjërave është e vërtetë, mosha ekstreme e Gobekli Tepe do ta bënte atë me të vërtetë sitin më të vjetër astronomic në botë.

Sidoqoftë, pretendimet për lidhjen e Gobekli Tepe me qiellin hidhen poshtë nga arkeologët, të cilët argumentojnë se forcat e kohës e kanë ndryshuar vendndodhjen e disa prej tipareve të tij.

Por ka një arsye tjetër, më të dukshme, të mundshme për të dyshuar që ndërtesat e sitit ishin diktuar nga lëvizja e yjeve. “Ekziston mundësia që kemi të bëjmë me struktura të mbuluara; vetëm ky fakt do të përbënte kufizime në observator”, konkludoi ekipi hulumtues në një artikull, të cilit i referohet Astronomy.com.

Krijimi i një shoqërie

Për ekipin që studion Gobekli Tepe, e vërteta e tij është po aq befasuese - edhe pa lidhjet astronomike.

Arkeologët thonë se njerëzit filluan të ndërtonin shoqëri dhe struktura komplekse vetëm pas shpikjes së bujqësisë. Ata gjithashtu mendojnë se fetë komplekse u shfaqën vetëm pas atyre ngjarjeve.

Gobekli Tepe i rrëzon këto teori. Faqja ndodhet në thelbin e Gjysmëhënës Pjellore, një rajon i Lindjes së Mesme që historikisht konsiderohet si vendlindja e bujqësisë, shkrimit etj. Megjithatë, Gobekli Tepe ishte një shoqëri para-bujqësore; është ndërtuar para se njerëzit në rajon të fillojnë të merren me bujqësi.

Kur u zbulua, arkeologët u habitën sepse Gobekli Tepe nuk mund të ishte ndërtuar nga fermerët. Bujqësia nuk ekzistonte në atë kohë. Plus, pa asnjë kafshë shtëpiake të zbutur ose mjete metalike për të lehtësuar ngarkesën, Gobekli Tepe do të duhej të ishte ndërtuar duke përdorur instrumente rudimentarë dhe duar njerëzore.

Me një moshë 12 000 vjeçare, Gobekli Tepe paraprin civilizimet më të vjetra të njohura të njerëzimit. Tempujt e tij megalitikë u prenë nga shkëmbinjtë shumë para piramidave 4500-vjeçare në Egjipt, Stonehenge 5 000-vjeçare në Angli, ose Nabta Playa 7 000-vjeçare, sajti astronomik më i vjetër. Madje duket se ndërtimi në disa pjesë të Gobekli Tepe mund të ketë filluar që para 14 000 ose 15 000 vjet më parë.

Megjithatë, nuk ka prova se ai ka qenë një vend i jetueshëm. Sajti nuk ka varre dhe as shtëpi. Pra, për të kuptuar më mirë se kush ishin vizitorët e këtij vendi, shkencëtarët studiuan fshatrat përreth.

Ata gjetën gjurmë të vendbanimeve shumë më të hershme se sajti, në të cilat njerëzit jetonin bashkërisht, duke ndarë burimet e tyre. Nëse kjo konfirmohet, atëherë një ndarje e tillë mund të ketë ndihmuar në krijimin e shoqërisë.

Imazhe të një komete

Vetëm një pjesë e vogël e dhomave gjigante rrethore dhe ovale në Gobekli Tepe janë gërmuar deri më tani, ndërsa shumë të tjera mendohet se janë nën tokë. Secila prej këtyre dhomave të rrumbullakëta ka një unazë shtyllash në formë T-je.

Shumica e shtyllave kanë gdhendje kafshësh, si gjarpërinjsh, dhelprash, zogjsh etj. Dhomat e veçanta zakonisht kanë si temë një kafshë të caktuar. Ata që e ndërtuan besonin se të gjitha krijesat e gjalla kishin shpirt dhe ata i adhuronin.

Megjithëse shumë nga shtyllat përqendrohen vetëm në një kafshë të vetme, gdhendjet e tjera e ndërthurin artin e tyre në një motiv më kompleks. Shtylla 43 e Gobekli Tepe është më e spikatura nga këto. Kjo shtyllë ka të vizuatuara një shkabë të madhe, zogj të tjerë, një akrep dhe simbole shtesë abstrakte.

Megjithëse ajo mbetet mister, ekipi i arkeologëve beson se një gjë është e qartë për shtyllat në përgjithësi: Ato janë ndërtuar në një formë T si një lloj forme e stilizuar njerëzore, si një njeri pa kokë.

Në një studim të botuar në revistën “Mediterranean Archaeology and Archaeometry”, ata argumentojnë se në shtyllën 43 gjendet një dëshmi e një goditjeje katastrofike komete 13 000 vjet më parë. Kjo ide ka gjetur mbështetje pasi shkencëtarët mendojnë se një kometë goditi Groenlandën pikërisht në atë kohë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.