Skemë brenda BE-së, 16 ditë qëndrim për të marrë pasaportë në Maltë

Postuar në 22 Prill, 2021 23:09

Vetëm disa ditë qëndrimi në Maltë u kanë mjaftuar atyre që njihen si investitorë të mëdhenj për të përfituar pasaportë të BE-së. Një investigimi mbi skemën e “pasaportave të arta” që jep Malta për qytetarët e huaj ka zbuluar se shumë prej tyre kanë marrë me qira rezidenca bosh, për të plotësuar një prej kritereve të shtetësisë.

Malta dhe Qipro janë dy vendet që kanë ofruar prej kohësh pasaporta europiane përmes skemës së “pasaportave të arta”, një praktikë kjo e kritikuar shpesh nga BE-ja.

Investigimi i kryer nga Fondacioni Daphne Guarana, “The Guardian”, Dossier Centre dhe pesë organizata mediatike malteze zbuloi se milionerët që përfituan një pasaportë të tillë kishin kaluar mesatarisht vetëm 16 ditë në Maltë, në një kohë kur kriter është qëndrimi  të paktën 1-vjeçar.

Në disa raste, aplikantët kalonin vetëm disa ditë në vend, në mënyrë që të përfitonin nga leja e qëndrimit, të hapnin një llogari bankare dhe të përmbushnin kërkesat e tjera. Rasti më flagrant është ai i një shtetasi të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili arriti në mëngjes dhe u largua nëntë orë më vonë, pasi kishte bërë betimin si shtetas.

Një aplikant tjetër që kërkonte të merrte me qira një pronë përmes Henley & Partners thjesht kërkoi opsionin më pak të kushtueshëm, që të përmbushte kërkesat e procesit të aplikimit.

Qeveria malteze nuk ka reaguar në lidhje me investigimin. Por më parë, ajo e ka mbrojtur këtë skemë.

Pasi BE njoftoi vitin e kaluar se do të niste veprimet ligjore kundër Maltës vitin e kaluar, kryeministri Robert Abela e mbrojti skemën me agrumentin se ka kontribuuar dukshëm në buxhet.

BE më parë i ka bërë thirrje Maltës dhe vendeve të tjera t'i japin fund kësaj praktike, duke vënë në dukje se skemat e shtetësisë së investitorëve mund të bëhen rrezik për sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin.

Skema është vënë në zbatim që prej vitit 2014. Malta u ka ofruar shtetësi të huajve në këmbim të investimeve prej 600 000 €  dhe një periudhe qëndrimi tre-vjeçare, ose 750 000 € dhe një periudhë qëndrimi 12-mujore në rrethana të jashtëzakonshme.

Aplikantët gjithashtu duhet të blejnë një banese me vlerë të paktën 700 000 € ose të marrin një qira pesë-vjeçare në një pronë me një vlerë minimale dhe të dhurojnë 10 000 € për bamirësi.

Gazetarja Daphne Caruana Galizia, e cila u vra në vitin 2017, ishte ndër të parat që e denoncoi abuzimin me këtë skemë, duke akuzuar politikanë dhe zyrtarë të lartë maltesë për korrupsion.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.