Zbulohet rasti i parë i transferimit të gjeneve nga bima te një insekt

Postuar në 20 Prill, 2021 13:30

Te njerëzit është i pamundur ndërrimi horizontal i gjeneve, por disa organizma arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. I njohur si "transferimi horizontal i gjeneve", ky proces është i zakonshëm te bakteret, të cilat në këtë mënyrë fitojnë mbrojtje kundër antibiotikëve.

Edhe bimët dhe kafshët, herë pas here marrin gjene nga mikrobet (veçanërisht viruset). Së fundmi, shkencëtarët kanë zbuluar prova të përdorimit të gjeneve të një bime nga një insekt.

Mizat e bardha janë insekte që dëmtojnë të lashtat. Ato ushqehen me më shumë se 600 specie bimësh dhe shkaktojnë qindra miliona dollarë dëme çdo vit.

Fermerët përdorin pesticide për t’i eliminuar, por disa bimë kanë zhvilluar mbrojtje natyrore, duke prodhuar toksina që i dëmtojnë këto insekte.

Këto toksina duket se nuk kanë ndonjë efekt te mizat e bardha.

Një ekip studiuesish kinezë ka zbuluar se gjeni që bimët përdorin për t’u mbrojtur nga toksinat e tyre ka përfunduar në ADN-në e mizave të bardha.

Duke marrë këtë gjen, miliona vjet më parë, miza e bardhë ia doli të përdorte mbrojtjen e vetë bimëve kundër tyre. Kjo sugjeron që insektet morën imunitetin e bimëve përmes një transferimi horizontal të gjeneve.

"Ky duket të jetë shembulli i parë i regjistruar i transferimit horizontal të një gjeni funksional nga një bimë në një insekt," i tha revistës "Nature" studiuesi Ted Turlings nga Universiteti i Neuchâtel. "Nuk e hasim këtë gjen në asnjë specie tjetër insekti".

Studiuesit sugjerojnë se mizat e bardha e morën gjenin 35 milionë vjet më parë, përmes disa proceseve që përfshijnë një virus.

Sigurisht, kjo është jashtëzakonisht e pamundur, por nëse mendon për miliona vjet dhe miliarda insekte, viruse dhe bimë me kalimin e kohës, një herë kjo mund të ndodhë, dhe nëse gjeni i fituar është një përfitim për insektet, atëherë do të favorizohet evolucionarisht dhe mund të përhapet.

Studiuesit e konsiderojnë këtë një risi që mund të çojë në qasje të reja për strategjitë e mbrojtjes së kulturave.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.