Hidhet sërish ideja e korrigjimit të kufijve të Ballkanit
Ideja e rishikimit të kufijve në Ballkan hidhet sërish. Kësaj radhe janë mediat sllovene ato të cilat e kanë përcjellë këtë ide përmes publikimit të një dokumenti diplomatik jozyrtar, i cili flet për shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sipas Necenzurirani.si, dokumenti është hartuar nga kryeministri Janez Jansa, i cili e ka dërguar më pas në Bruksel në shkurt ose mars të këtij viti.
Një ditë pas publikimit të këtij lajmi, Jansa reagoi përmes Tuiterit, duke e cilësuar të pavërtetë këtë lajm. Ai thotë se nuk e ka takuar presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
“Për herë të fundit e takova Charles Michel vitin e kaluar. Do të ishte e vështirë që t’i dorëzoj fizikisht diçka në shkurt ose mars të këtij viti. Sllovenia po kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektivën e BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nga publikime të tilla po provohet të ndalohet ky qëllim”.
Ndërkohë, në Bruksel nuk e mohojnë ekzistencën e një dokumenti të tillë.
I pyetur nga Euractive në lidhje me këtë, njeriu që supozohet se i është dorëzuar dokumenti as e mohon dhe as e pohon një gjë të tillë. Pyetjes nëse zyra e Michel, qoftë përmes kanaleve zyrtare ose jozyrtare, e ka marrë këtë propozim, zëdhënësi i tij I është përgjigjur se "nuk mund të japë asnjë koment në lidhje me këtë”.
Ndëkohë, Komisioni Evropian dhe shërbimi i tij diplomatik (EEAS) nuk kanë dijeni mbi këtë dokument.
"EEAS nuk e ka marrë një dokument të tillë dhe nuk ka më shumë informacion nga sa është raportuar në media", tha zëdhënësi kryesor i BE-së Peter Stano, për EURACTIV.
Çfarë popozon dokumenti?
1.) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. Në Kosovë, 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar të Shqipërisë. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Pjesa serbe e Kosovës do të marrë status special, duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut. Është një provincë autonome në Italinë veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse.
2) Bashkimi i pjesës më të madhe të territorit të “Republikës Serbe” me Serbinë. Çështja kombëtare serbe mund të zgjidhet kryesisht duke aneksuar një pjesë të Republika Srpska në Serbi. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
3) Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet duke bashkuar kantonet kroate të shumicës në BiH me Kroacinë ose duke i dhënë status të veçantë pjesës kroate të BeH (duke përdorur modelin e Tirolit të Jugut).
4) "Kjo do t'u jepte boshnjakëve një shtet të pavarur funksional dhe do të merrte përgjegjësinë e plotë për të. Në një referendum, njerëzit do të vendosnin nëse do të bashkoheshin me BE ose një të ardhme jashtë BE (duke ndjekur shembullin e Turqisë). Tani për tani, shumica dërrmuese e boshnjakëve mbështesin perspektivën e BE dhe një rritje të mprehtë të ndikimit turk dhe islamik radikal, situata mund të përkeqësohet në mënyrë drastike gjatë dekadës tjetër.
Sfondi
Pas luftërave që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në 1991-95 dhe ndërmjetësimit të SHBA, Bosnje dhe Herzegovina u bë një federatë e ndarë në dy njësi me pavarësi të konsiderueshme: Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Srpska.
Secila ka qeverinë e vet, Parlamentin dhe forcën e policisë, por të dyja bashkohen në një qeveri qendrore dhe një presidencë të radhës prej tre personash, që mbahet me rotacion nga një boshnjak, një kroat dhe një serb.
Pas sulmeve ajrore të vitit 1999 të NATO-s, Kosova u krijua si entitet i veçantë dhe më vonë shpalli pavarësinë. Veriu i Kosovës, i përbërë nga katër komuna me shumicë etnike serbe, nuk është nën kontrollin e plotë të Prishtinës.
Hapja e derës për te Turqia
Në një referendum, "boshnjakët mund të zgjedhin midis së ardhmes në BE ose jashtë saj, si Turqia", thuhet në dokument.
Turqia është veçanërisht e interesuar për këtë rajon, por BE kurrë nuk e ka marrë në konsideratë faktin se tkurrja e ambicies së saj të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor do t’i krijojë mundësi Ankarasë për të përfituar.
Për më tepër, dokumenti aludon në "procedurat e heshtura" që janë "në proces" për të përfshirë drejtimin e planeve nga "vendimmarrësit në rajon" dhe "vendimmarrësit në bashkësinë ndërkombëtare".
Në një letër të hershme kroate, Ministri i Jashtëm Gordan Grlić Radman bëri thirrje për më shumë mbështetje për Bosnjën, përfshirë përpjekjet e saj për të përmirësuar "peizazhin politik të copëzuar dhe atmosferën e mosbesimit" që ekziston midis përfaqësuesve politikë të Bosnjës dhe mbrojti statusin e kandidatit të BE për vendin. Sllovenia ishte një ndër fimërtaret, ashtu si Bullgaria, Qipro, Greqia dhe Hungaria.
Add new comment