Franca akuzon Rusinë: Sputnik V, mjet propagande dhe diplomacie agresive
Franca akuzon Rusinë se po e përdor vaksinën e saj, Sputnik V, si një mjet për të përhapur ndikimin dhe mesazhin e Moskës dhe jo si mënyrë për të luftuar krizën globale të shëndetit.
"Për sa i përket mënyrës se si menaxhohet, ajo (vaksina Sputnik V) është më shumë një mjet propagande dhe diplomacie agresive sesa një mjet solidariteti dhe ndihme shëndetësore", i tha ministri i Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, radios France Info.
Në Perëndim, vaksina ruse, Sputnik V, nuk ka marrë ende miratimin e agjencive të monitorimit dhe certifikimit të ilaçeve. Ndërsa Presidenti Vladimir Putin, i cili mori dozën e parë të martën - e ka cilësuar të çuditshëm këtë skepticizëm.
Përveç Rusisë, kreu i diplomacisë franceze akuzoi edhe Pekinin se po e përdor vaksinën për të fituar ndikim.
Sputnik V është regjistruar në Rusi në gushtin e vitit të kaluar. Procesi i përshpejtuar i provave klinike ka bërë që shumë ekspertë të ngrenë shqetësime në lidhje me sigurinë e saj.
Megjithatë, analizat e mëvonshme kanë nxjerrë rezultate kryesisht positive. Një studim në revistën “Lancet” konkludoi se Sputnik V është e sigurt dhe më shumë se 90% efektive.
Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Barnave, EMA, e ka në proces shqyrtimi kërkesën e Sputnik V dhe miratimi i saj do ta bënte vaksinën e parë joperëndimore që do të përdoret në Bashkimin Europian.
Add new comment