Votat në zgjedhjet parlamentare dhe efekti i sistemit në shpërndarjen e mandateve

Postuar në 25 Mars, 2021 23:37
Arsen Zlatiçanin – Universiteti i Shkodrës

 

Përveç votave që mund të mbledhin subjektet zgjedhore në çdo qendër votimi, roli i sistemit zgjedhor mund të jetë deçiziv në përcaktimin e forcave në parlamentin e ardhshëm që do formohet pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Pra rezultati në vota për çdo subjekt zgjedhor në çdo qendër votimi prodhon edhe rezultatin final që është rezultati në mandate për subjektet. Kjo do të thotë që ka varësi mes rezultatit në vota dhe rezultatit në mandate. Kjo varësi (të cilën e përcakton Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor) dhe defektet e saj do të jenë objekt analize në këtë shqyrtim.

Neni 162 i Kodit Zgjedhor përcakton formulën për ndarjen e mandateve mes subjekteve zgjedhore në nivel zone zgjedhore (qarku). Siguria e fitimit të një numri të caktuar mandatesh për një subjekt zgjedhor nga përqindja e fituar e votave të vlefshme, paraqitet tek tabela e mëposhtme.

Kështu p.sh. për një listë zgjedhore në Fier që të ketë të sigurtë 9 mandate mjafton të ketë 52.94% të votave të vlefshme pavarësisht se si shpërndahen  votat e tjera mes subjekteve në zonën zgjedhore Fier. Mandati i nëntë ndoshta mund të sigurohet edhe me përqindje pak më të vogël se 52.94% sa paraqet tabela e mësipërme, por kjo varet nga shpërndarja e votave mes subjekteve të tjera.                                                

Ky ilustrim vlen për çdo përqindje të paraqitur në tabelën e mësipërme në lidhje me numrin përkatës dhe me qarkun përkatës. Mandati i dytë në Tiranë arrihet me siguri me 5.41% të votave të vlefshme ose mandati i  tetë në Durrës është i sigurtë me 53.33% të votave të vlefshme për Durrësin, etj etj …

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 Partia Socialiste kishte në total 67 mandate të siguruara nga përqindjet e votate të veta nëpër qarqet e Shqipërisë, ndërsa 7 mandate i fitoi si pasojë e shpërndarjes së  votave mes subjekteve të tjera (disa vota rezultuan pa efekt për subjektet e tjera, prandaj PS siguroi edhe 7 mandate me tepër).

Partitë e vogla edhe pse mund kalojnë pragun elektoral, mundësinë për të fituar mandate e kanë shumë të vogël në qoftë se mbështetjen nuk e kanë të përqendruar fort në ndonjë qark. Për këtë mjafton të shihet tek rreshti i parë i tabelës nr. 1 sesa më shumë se sasia e votave të vlefshme duhet të kenë siguruar në nivel qarku subjektet e vogla, për të siguruar mandatin e parë. 

Gjithsesi, këro subjekte votat mund t’i kenë pa efekt, por ato mund të ndikojnë në shpërndarjen e mandateve tek subjektet e tjera.
Një element i rëndësishëm është edhe numri i votave pa efekt për një subjekt zgjedhor. Mund të ndodhë që edhe mbi 20 mijë vota të dalin pa asnjë efekt në mandate për subjektin dhe kjo vetëm në nivel  zone zgjedhore. 

Po të përsëritet ky fenomen në disa zona zgjedhore atëherë subjektet zgjedhore në total mund të kenë edhe 150 mijë – 200 mijë vota pa efekt dhe kjo mund të favorizonte mjaft subjektet rivale. Kjo tregon se sistemi zgjedhor mund t’i trajtojë në mënyrë shumë të pabarabartë subjektet zgjedhore. 

P.sh. në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Partia Socialiste pati mbi 16 690 vota pa efekt ose rreth 25.4% të votave të saj në qarkun e Vlorës, Partia Demokratike mbi 10 680 vota pa efekt ose rreth 24.7% të votave të saj në qarkun e Durrësit dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim kishte mbi 10 490 vota pa efekt, ose rreth 53.9% të votave të saj në qarkun e Korçës. 

Ka edhe shembuj të tjerë nga e zgjedhjet e kaluara parlamentare ku sistemi dhe formula kanë neglizhuar edhe afro 24 mijë vota (mbi 30% të votave  të PS-së në qarkun e Elbasanit në vitin 2013), etj etj.. Kjo tregon se sistemi lejon mundësinë e daljes në votime të qyteteve, fshatrave e venbanimeve me numër të konsideruar zgjedhësish për subjektet zgjedhore, pa patur efekt në shpërndarjen e mandateve.

Mund të ndodhë p.sh. që PS-ja të ketë 60-70 mijë vota pa efekt në 4-5 qarqe dhe po ashtu kjo të ndodhë edhe me PD-në në disa qarqe të tjera dhe kështu të balancohen humbjet e dy subjekteve më të mëdha, por kjo gjë edhe mund të mos ndodhë. Sidoqoftë sistemi tregon dobësi ndaj votës të shtetasve të këtij vendi sepse lëvizje të vogla votash mes qarqeve për një subjekt mund të shkaktojnë lëvizje të forta në mandate dhe po kështu, lëvizje të mëdha votash mes qarqeve për një subjekt mund të mos shkaktojnë aspak lëvizje në mandate për subjektin zgjedhor. E thënë ndryshe, diku disa qindra vota kanë vlerë edhe disa mandate për ndonjë subjekt e diku edhe 70-80 mijë vota apo më shumë mund të mos kenë aspak efekt në mandate për subjektin zgjedhor.

Një ilustrim për mundësinë e pabarazisë të sistemit në leximin e votave, paraqet rezultati i supozuar i cili i referohet  përafërsisht sondazheve të deritanishme të publikuara në media nga kompanitë e sondazheve në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.


Mund të vërehet nga tabela 2, që lëvizje të vogla në vota (1% nga PS tek PD-LSI) mes pozitës dhe opozitës lëvizin mandatet nga një fitore e tipit 77-63 për PS-në, në një fitore të tipit 68-72 për opozitën aktuale PD-LSI. Po kështu mund të kemi rezultat ku lëvizjet nga 4-5% (në nivel qarku) apo edhe më tepër mes pozitës dhe opozitës mund të mos kenë aspak ndikim tek mandatet. Shembulli i tabelës.2 është vetëm një nga shembujt e panumërta që mund të ndërtohen (dhe të ndodhin), në të cilët del në pah dominimi i sistemit zgjedhor mbi rezultatin e zgjedhjeve të shprehur në vota.
Si përfundim arrihet konkluzioni që përveç numrit të votave, subjekteve zgjedhore u nevojitet edhe pak fat në shpërndarjen e votave sipas zonave zgjedhore (fat i tipit ), ashtu që numri i votave të pavlera për subjektin të jetë sa më i vogël.

E keqja është se duke përfituar njëra palë i bie që pala tjetër të dëmtohet. Sistemi është i pabarabartë në leximin e votës të shtetasve dhe mund të jetë edhe shumë favorizues apo disfavorizues për subjektet zgjedhore.Se sa do jetë i pabarabartë dhe kush do jetë përfituesi mbetet të shohim rezultatet e 25 prillit. Si lojërat e fatit ashtu edhe sistemi zgjedhor aktual, paraprakisht (teorikisht) nuk kanë preference në favorizimin apo disfavorizimin e palëve. Palëve në garë u mbetet të shpresojnë tek besimi i qytetarëve nga njëra anë dhe tek leximi që i bën ky sistem zgjedhor këtij besimi nga ana tjetër, ashtu që ti favorizojë ata maksimalisht.

Comments

Submitted by Retorike (not verified) on

Sistem i cuditshem, sepse ne fund te fundit mandatet vlejne, dhe i bie qe lufta per cdo vote eshte e pakuptimte kur vota ( dhe jo pak syresh) mund te mos vleje asgje ne numerim...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.