Vaksina ka, nuk ka...ka...i gjeta Unë
Kryeministri Edi Rama e ka gjetur edhe një vjegë tjetër për të shitur veten elektoralisht: vaksinat. I sapokthyer nga Turqia, z. Rama ka njoftuar një sukses të madh me sigurimin e 1 milionë dozave.
Në Stamboll për shumë vaksina! O ia dalim o ia dalim, s'ka tjetër dhe po s'ia dolëm ne askush tjetër nuk ka si ia del dot. Kemi siguruar 1 milionë vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysëm milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë. Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim
Parimi që vepron në këtë lloj politike të komunikimit është i thjeshtë: rroftë budallallëku!
Sepse z. Rama e di shumë mirë që kushdo qeveri që do të ishte në krye do të siguronte vaksina, herët apo vonë. Të paktën në Europë vaksinimi ka nisur pak a shumë kudo dhe madje ka ecur shpejt.
Së dyti, gjetja kaq e kollajtë e vaksinës kineze dhe ruse, provon se z. Rama nuk ka qenë i sinqertë kur deklaronte se ato nuk mund të gjendeshin aq kollaj në treg. Z. Rama refuzoi të dëgjonte me javë të tëra për këtë çështje, ai ndërtoi bazë të kufizuar ligjore për blerjen e vaksinës duke kërkuar vetëm vaksina të certifikuara nga EMA dhe CDC, pra duke përjashtuar vaksinën kineze dhe ruse dhe tani, kur zërat për vaksinën po shtohen, kryeministri ka vendosur të hidhet vetë në aksion për të mbyllur një problem të mundshëm politik.
Ne jemi këtu përballë një gënjeshtre të pazakonshme në kuptimin që z. Rama ndoshta ishte i detyruar të kërkonte vaksinë "të sigurtë” në një botë që po përleshet në çdo gjë. Ai vuri standardin EMA-CDC duke humbur kështu sensin praktik për një çështje që e kërkon me patjetër. Dhe për ta mbuluar të gjithë këtë politikë të sigurimit maksimal, në gënjeu të gjithëve duke deklaruar se vaksina nuk gjendet tezgave.
Sjellja në këtë mënyrë zbulon një problem më të madh; referimi për çdo gjë që quhet si standardi më i mirë në BE dhe SHBA është jo dhe aq i drejtë. Nuk përkon me mënyrën sesi po zhvilllohen gjërat, sesi po ndërlidhet bota. Kjo lloj inercie në bindjet tona zgjidhet vetëm duke hapur tregun dhe z. Rama ka dëshmuar se ka shumë problem një gjë të tillë. E bëri në fillim me testet anti-CoVid-19, e vazhdon tani me vaksinën.
E vetmja gjë që mund ta veçojmë: në tetë vjet drejtim qeverie, z. Rama më në fund kuptoi se gjërat duhen marrë me çdo mjet dhe ndoshta me mënyrën si veproi me rindërtimin pas tërmetit dhe tani me vaksinën kineze, i duket mjeran opozitarizmi i djeshëm i tij ndaj Sali Berishës që negocionte për TAP-in në vetë të parë me presidentin azer.
Ky është një rreth vicioz që politika ia krijon vetes sepse e projekton mbijetesën e vet dhe suksesin vetëm te gënjeshtra ndaj nesh. Derisa përballet vetë me problemin, që kërkon zgjidhje përpara se për të të bëhet moral.
s.zaimi
Add new comment