Vlora si alibi e përhershme e një të "majte" qytetare
Albert Nikolla publikon sot një shkrim të vetin përmbytur në arsyetimin e vet nga klisheja e haxhiqamilizimit dhe të iluminuarave. Është një klishe e ndërtuar nga historiografia e cila presupozon se në shtetndërtimin tonë ka dy rryma antagoniste: haxhiqamilizmi e me të esadizmi dhe oksidentalizmi me shqiptarinë. Vlora për z. Nikolla qëndron në këtë suazë si memorial i qëndresës anti-orientale dhe kundër çdo okupimi, si fanar i një shqiptarie që mesa po marrim vesh mundet të kuptohet vetëm nga disa shqiptarë. Për analogjitë e z. Nikolla haxhiqamilizmi ka jehonën e vet edhe sot me Sali Berishën dhe Ilir Metën që po provojnë edhe njëherë në Vlorë goditjen e tyre.
Simbolikisht, PD-ja kërkon të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e 25 prillit: rikthimin e Vlorës në harresë e mjerim, fosilizimin e a saj. Është e kotë! Nuk nënshtrohet Vlora me emisarë të dërguar atje për të modifikuar listat e deputetëve. Vlora e do, e adhuron mikun por nuk i nështrohet askujt e aq më pak atij që ka dhënë urdhër për bombardime me avionë kundër popullit. Pikërisht në këtë kornizë simbolesh duhet vërejtur edhe vëmendja që Rama ka dëshmuar e dëshmon kundrejt Vlorës, pasi përtej numrit të deputetëve, sepse Vlora jep shtysë të fortë për fitoren e socialistëve kudo në Shqipëri
shkruan ndër të tjera z. Nikolla.
Nëse fjala është për vizitën e Agron Kuliçit për situatën e krijuar në PD-në e atij qyteti, atëherë z. Nikollla ose nuk di gjë, ose po bën diversion.
Është për të ardhur keq që një njeri me formimin e z. Nikolla të shohë gjërat në mënyrë kaq skematike. Dhe të projektojë në një farë mënyre, një lexim kaq të njëanshëm mbi një rajon të tërë. Ky dallim riprodhon në vetvete ndarjen stigmatizuese mes qytetarisë dhe malokërisë, që është alibia e fundit e atyre që pasi provuan të gjitha kostumet, kanë mbetur vetëm me penevrekët e civilizimit.
Kjo sepse nuk duket se ka shumë kuptim të tematizosh si politike dhe kulturore marrëdhëniet e Vlorës me pjesën tjetër të Shqipërisë. Qoftë edhe në kontekstin e Pavarësisë dhe krijimit të shtetit, pasi Pavarësia u shpall në Vlorë, por nuk erdhi nga Vlora. Të jemi të vërtetë dhe të sinqertë. Vërtet që Vlora ka krijuar një emër, i shndërruar në një lloj mitologjie mes vetë vlonjatëve, por me këto po abuzohet keq, herë nga padija dhe herë nga ligësia. Kryeministri vetë nuk ka asgjë prej vlonjati, të kish qenë ai në atë qytet e merr shumëkush me mend se çfarë epiteti do kishte pas vetes. Por ja që sepse i pëlqen të sintonizohet herë pas here në rolin e dikujt që ia ka haberin asaj zone.
Vlora sot është një bastion i kriminalitetit sepse aty e çoi qeveria e progresit që kaq shumë përlavdëron z. Nikolla. Nuk e bën qytetin një lungomare dhe rehabilitimi i dy godinave. Vlora sot është një qark pa kadastër për arsye që janë subjekt i denjë filmi, ndërkohë që është krejtësisht e padrejtë të thuash se PD-ja dhe Berisha e degdisën Vlorën në harresë dhe mjerim. E njëjta lojë u bë edhe për Sarandën, por po të tregohemi të drejtë, qeverisja e PD-së bëri jo pak për atë qytet.
E vërtetë që ka një problem mes Berishës, PD-së dhe Vlorës, por në emër edhe të kësaj qytetarie që na shisni kaq shumë – edhe pse i njohim tashmë këta lloj qytetarësh – dënojeni, apo gjykojeni haxhiqamilin që të na bien veshët dhe sytë rehat nga shkrime të tilla që të kujtojnë “gazetën Tomori me lajme të reja”.
s.zaimi
Comments
Sapo lexova lajmin e fundit
Sapo lexova lajmin e fundit te gazetes Tomorri. Dhe lajmi ishte qe me Edin ka shkaterruar kadastren e Vlores. Une do te thoja se ishte i vetmi qe guxoi te nxirrte te palarat ne shesh. Dhe ai nuk ka frike nga sheshi i flamurit. Tjeterkund gjendet frika. Dhe kadastra e ka skenarin e filmit. Ate skenar e ka shkruar Sali Berisha me pushtat e tij.
Harruat tè thoni atij ne
Harruat tè thoni atij ne zellin e tij per karriere se Vlora me krimin si virtyt ka vrane ne 97 e 98 mbi njemije veta e saga e vrasjeve vjedhjeve e trafiqeve vazhdon dhe sot ne Shqioeri e ku ka vlonjate...
jane te tjera gjera tregues te perparimit
e mos na flasi per bombardime e te tjera se dhe police qe u derguan ne Vlore ishin te pa armatosur...
Add new comment