Shtyhet pagesa për koncesionin e skanimit të kontejnerëve
Kuvendi miratoi me 81 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenime projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si autoritet kontraktues dhe shoqërive “S2 Albania” shpk dhe “Rapiscan systems” INC “Për një ndryshim në marrëveshjen e konçensionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 123/2013” të ndryshuar””.
Rishikimi i kontratës është në të vërtetë shtyrje e pagesave që shteti u detyrohet kompanive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC për skanimin në doganë për muajit shtator, tetor, nëntor, dhe një këst i prapambetur i vitit 2020. Këto detyrime do të shlyhen në vitin 2022. Pra, fatura prej 3.3 milionë eurosh do të kalojë në buxhetin e vitit 2022 dhe në vazhdim.
Vendimi është në kuadër të strategjisë së qeverisë për shkurtimin e shpenzimeve për pagesat e koncesioneve në vitin 2020 si pasojë e nevojave financiare që shtoi pandemia.
Koncesioni i skanimit të kontejnerëve është dhënë nga qeveria e PD-së dhe është kontestuar nga e majta pas 2013-s kur mori pushtetin. Në vitin 2015, qeveria “Rama” uli tarifën për çdo skanim të kontejnerëve.
Pas negocimit u vendos që tarifa 39 euro të zbriste në 5 euro për deklaratat doganore deri në 1000 euro dhe 22 euro për deklaratat doganore mbi 1000 euro.
Add new comment