Premtime dhe vonesa për spitalet rajonale kundër CoVid-19
Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë njoftoi aktivizimin e atij që e cilësoi skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve COVID. Nga Durrësi, ku inspektoi spitalin rajonal, Manastirliu tha se ezaurimi i kapaciteteve në 4 spitalet COVID në Tiranë e bëri të domosdoshme hapjen e spitaleve rajonale që do të pasojë me atë të Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.
Në fakt, një plan i tillë është propaganduar prej kohësh nga Ministria e Shëndetësisë, por koha që u desh për ta vënë në zbatim është shumë e gjatë. Kjo në terma të kostos financiare që ka pasur te pacientët Covid, që janë detyruar të dynden në spitalet e Tiranës apo të ndiqen në shtëpi, me asistencën e mjekëve apo infermierëve që shërbejnë në spitalet e qyteteve të tyre.
Në qershor të vitit të kaluar, Manastirliu e përmendi për herë të parë mundësinë e hapjes së spitaleve rajonale për pacientët Covid.
Nga spitali i Elbasanit, ministrja njoftoi për dyfishimin e kapaciteteve në terapitë intensive të spitalit. Megjithatë, në atë kohë nuk u pa e udhës që spitali të vihej zyrtarisht në shërbim të pacientëve me koronavirus.
Në dhjetor të vitit të shkuar, Manastirliu u kthye sërish në spitalin e Elbasanit për të deklaruar se tashmë ishte gati hapja e 5 spitaleve rajonale me 600 shtretër në total për pacientët Covid.
Megjithatë, do të duheshin edhe dy muaj të tjerë që ky hap të hidhej.
Rritja e vrullshme e numrit të rasteve të reja i ka mbingarkuar katër spitalet Covid në kryeqytet. Por, kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që janë përballur me virusin e kanë luftuar atë në këto spitale. Secili prej nesh njeh të paktën një të infektuar që nuk ka preferuar spitalin, por ka zgjedhur ta kalojë sëmundjen në shtëpi, kjo në disa raste me kosto disa herë më të madhe.
Aktivistët dhe shoqatat për mbrojtjen e të drejtës së pacientit e kanë kërkuar disa herë hapjen e spitaleve rajonale, si një mënyrë për të shpërndarë ngarkesën mbi spitalet e kryeqytetit dhe për t’ua bërë më të lehtë pacientëve në rrethe aksesin në këtë lloj të shërbimit shëndetësor.
Sipas një përllogaritjeje që ka bërë shoqata “Together for Life” mbi kostot e trajtimit në shtëpi të pacientëve Covid, vendosja në funksion e spitaleve rajonale, disa muaj më parë, me investime minimale duke blerë C-PAP & B-Pap që kushtojnë mesatarisht 5 000 euro copa (pra një investim minimal prej 5 aparatura x 13 spitale= 65 x 5,000 Euro= 325,000 euro), do të kishte sjellë trajtim më të mirë të pacientit bazuar në udhëzuesin e miratuar nga Ministria, që në fazën e mesme dhe të rëndë.
Po ashtu, nga ana e performancës dhe kostoeficiencës, trajtimi i një pacienti në nivelin rajonal, është më i lirë sepse: sëmundja trajtohet në fazat më të hershme dhe kërkon më pak shpenzime në lidhje me konsumin e barnave, koston e burimeve njerëzore që është 20% më e lirë në spitalet rajonale se në QSUT, si edhe koston e transportit të pacientit nga qytetet periferike deri në Tiranë (naftë, oksigjen, dieta, amortizimi i ambulancave).
Pra, pa qenë nevoja për investime në shuma të mëdha, vendosja në funksion e spitaleve rajonale do të kishte qenë edhe më efektive në aspektin e menaxhimit financiar dhe të burimeve njerëzore.
Siç duket, pavarësisht se “po luftojmë me një armik të padukshëm” (kryeministri Edi Rama), ky armik "pret" që spitalet të hapen në kohën e zgjedhjeve.
G.Sokoli
Add new comment