Njeriu e ndryshoi qasjen ndaj vdekjes 20 000 vjet më parë
Në Lindjen e Mesme, njeriu prehistorik e ndryshoi raportin me vdekjen gati 20 000 vjet më parë. Të dhënat për këtë ndryshim në sjelljen e komuniteteve që jetonin me gjueti vijnë nga zbulimi i mbetjeve të një gruaje, e cila pas vdekjes është djegur në një kasolle.
Varrimet e njerëzve në shtëpi ose struktura të tjera, si dhe djegiet, mendohet se kanë origjinën në fshatrat bujqësorë të periudhës neolitike në dhe përreth Lindjes së Mesme, jo më herët se rreth 10 000 vjet më parë.
Por këto praktika duket se i kanë rrënjët shumë më herët, në komunitetet e gjuetarëve, thotë një ekip i udhëhequr nga arkeologët Lisa Maher nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley dhe Danielle Macdonald i Universitetit të Tulsas në Oklahoma.
Zbulimi i ri sugjeron që njerëzit filluan ta asocionin të vdekurin me “shtëpinë” ku kishte jetuar. Një dëshirë e çuditshme për t’i asociuar të vdekurit me strukturat e ndërtuara nga njeriu pasqyron bindjen e atëhershme se në atë mënyrë, të vdekurit do të qëndronin afër të gjallëve, thuhet në studimin e publikuar në” Journal of Anthropological Archaeology”.
Mbetjet e gruas në fjalë janë gjetur në vendin antik që tani njihet si Kharaneh IV, në vitin 2016. Pjesë të skeletit të karbonizuar u gjetën në dyshemenë e një kasolleje që i ishte vënë flaka. Trupi i saj ishte vendosur anash me gjunjë të përkulur. Analizat e modeleve të karbonit në kockat e saj dhe sedimentet e djegura që rrethojnë mbetjet e saj sugjerojnë që trupi i gruas ishte vendosur brenda kasolles në një turrë drush pak para se t’i vihej flaka qëllimisht. Pra, është e qartë se zjarri ka nisur nga brenda dhe muret e jashtme janë rrëzuar të fundit.
Matjet me radiokarbon e çojnë këtë ngjarje rreth 19 200 vjet më parë.
Zbulimi i ri në Kharaneh IV e lidh vdekjen e një personi dhe shkatërrimin e një ndërtese me një ceremoni funerale.
Përdorimi i zjarrit mund të ketë pasur kuptimin e një lloj cikli transformimi, rilindjeje, pastrimi ose cikli jetë-vdekje, thonë studiuesit.
Add new comment