Inteligjenca artificiale mund të manipulojë sjelljen njerëzore
Inteligjenca artificiale (AI) po mëson më shumë se si të punojë me njerëzit. Një studim i fundit ka treguar se si AI mund të mësojë të identifikojë dobësitë në zakonet dhe sjelljet njerëzore dhe t'i përdorë ato për të ndikuar në vendimmarrjen njerëzore.
Mund të duket çmenduri të thuash se AI po transformon çdo aspekt të mënyrës se si jetojmë dhe punojmë, por është e vërtetë. Forma të ndryshme të inteligjencës artificiale janë vënë në funksion në fusha si zhvillimi i vaksinave, menaxhimi i mjedisit dhe administrimi i zyrave. Ndërsa inteligjenca artificiale vetë nuk posedon inteligjencë dhe emocione të ngjashme me njeriun, aftësitë e saj janë të fuqishme dhe zhvillohen me shpejtësi.
Nuk është ende momenti për t’u shqetësuar se kontrollin tonë mund ta marrin kompjuterat, por ky zbulim i fundit nxjerr në pah fuqinë e IA dhe nënvizon nevojën për menaxhimin e duhur, në mënyrë që të shmanget keqpërdorimi
Një ekip studiuesish në Data61 të CSIRO, departamenti digjital i agjencisë kombëtare të shkencës australiane, krijuan një metodë sistematike për të gjetur dhe shfrytëzuar dobësitë në mënyrat se si njerëzit i bëjnë disa zgjedhje.
Për të provuar modelin e tyre ata kryen tre eksperimente në të cilat njerëzit luanin lojëra kundër një kompjuteri.
Në tre eksperimente të kryera, IA arriti të krijojë një profil të pjesëmarrësve, bazuar në përgjigjet e tyre dhe identifikoi dobësitë në vendimmarrjen e tyre. Rezultati përfundimtar ishte kompjuteri mësoi t’i drejtojë pjesëmarrësit drejt veprimeve të veçanta.
Këto gjetje janë ende abstrakte dhe përfshijnë situata të kufizuara dhe joreale. Duhen studime më të thelluara për të përcaktuar se si kjo qasje mund të vihet në veprim dhe të përdoret në shërbim të shoqërisë.
Por hulumtimi çon përpara njohjen tonë jo vetëm mbi atë që IA mund të bëjë, por edhe se si njerëzit bëjnë zgjedhje të caktuara. Kjo tregon se makineritë mund të mësojnë të drejtojnë zgjedhjet njerëzore përmes ndërveprimeve të tyre me ne.
Hulumtimi ka një gamë të madhe zbatimesh të mundshme, nga përmirësimi i shkencave të sjelljes dhe politikës publike për të përmirësuar mirëqenien sociale. IA mund të përdoret për të njohur dobësitë e njerëzve në situata të caktuara dhe për t'i ndihmuar ata të shmangin zgjedhjet e gabuara.
Metoda mund të përdoret gjithashtu si kundërpërgjigje ndaj strategjive të ndikimit. Makineritë mund të mësohen të na sinjalizojnë kur po biem nën ndikimin e dikujt në internet, për shembull, dhe të na ndihmojnë të formojmë një sjellje për të maskuar vulnerabilitetin tonë (për shembull, duke mos klikuar në disa faqe, ose duke klikuar në të tjera për të lënë një gjurmë të rreme).
Add new comment