Europianët e vaksinuar do të pajisen me certifikatë
Ndërsa procesi i vaksinimit ka pak javë që ka nisur në shumë shtete të Europës, parashikohet që vendet e Unionit të aplikojnë pajisjen me certifikatë të të vaksinuarve.
Shtetet anëtare të BE kanë miratuar një propozim të Greqisë për një certifikatë evropiane të vaksinimit. Propozimi është bërë nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, zyra e të cilit konfirmoi edhe miratimin e tij.
"Hapi i parë në zbatimin e propozimit të Kyriakos Mitsotakis për një certifikatë evropiane vaksinimi u bë sot", citohet zyra e Mitsotakis nga agjencia shtetërore e lajmeve, Amna.
Hapi tjetër pritet të jetë vënia në përdorim e këtyre certifikatave për të lehtësuar udhëtimin e evropianëve, kur një përqindje e madhe e popullatës të jetë vaksinuar.
Udhëzimet e KE synojnë "për një skemë që pranon certifikatat në letër dhe ato digjitale, duke siguruar fleksibilitet dhe pajtueshmëri me zgjidhjet ekzistuese kombëtare, dhe një mbrojtje rigoroze të të dhënave personale”.
Udhëzimet e reja janë rezultat i diskutimeve dhe reflektimeve në Rrjetin eHealth, si dhe konsultimeve të para me Komitetin e Sigurisë Shëndetësore, EMA, ECDC dhe OBSH. Udhëzimet synojnë kryesisht vaksinimin COVID-19 por mund të përdoren në të ardhmen si bazë për të provuar statusin e vaksinimit.
Këto udhëzime vijnë vetëm një javë pasi vendet anëtare të BE refuzuan propozimin e Greqisë për një "pasaportë vaksinimi", duke e cilësuar të parakohshme.
Add new comment