Mitet mbi “të majtët” dhe “të djathtët” në Kosovë

Postuar në 25 Janar, 2021 13:08
Augustin Palokaj

 

Bashkësia ndërkombëtare, që kishte ndërhyrë për ta çliruar Kosovën, nuk bënte dallime se kush ishte në pushtet në shtetet përkatëse, sepse mbronin një kauzë të drejtë, siç ishte ajo e Kosovës. U bashkuan të majtë dhe të djathtë, liberalë dhe të gjelbër, për t’i dalë në ndihmë Kosovës. Për koincidencë, shumica e shteteve që dhanë kontributin më të madh për Kosovën kishin qeveri të majta. Tentimet për t’i paraqitur “të djathtët” dhe “të majtët” si “rrezik” për Kosovën i bëjnë dëm Kosovës dhe dëshmojnë se sa pak argumente u kanë mbetur partive politike në Kosovë që të përdorin në fushata

Ishte periudha e pasluftës dhe NATO-ja kishte përpiluar një strategji se si t’ua heqë armët nga duart ish-ushtarëve të UÇK-së, disa t’i kthejë në shoqëri që të merren me profesione të tyre, disa t’i integrojë në një forcë të mbrojtjes civile (TMK), dhe një pjesë të hyjnë në jetën politike. “Ne nuk guxojmë t’i lëmë ata anash, t’i lëmë në një lloj nëntoke. Sepse, ata kanë dhënë kontribut për Kosovën dhe duhet t’ua japim disa mundësi”, thoshte atëherë një zyrtar i lartë i NATO-s. Kështu lindi TMK-ja, filluan projektet për ndihmë ish-ushtarëve të UÇK-së që të integrohen në shoqëri dhe u krijuan edhe dy parti politike. Njëra e “krahut të Drenicës” e udhëhequr nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, e tjetra e rajonit të Dukagjinit e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Në atë kohë, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kishte jo vetëm strukturat e saj të brendshme, por edhe lidhjet e forta me partitë e familjes së qendrës së djathtë në Evropë. Doktor Ibrahim Rugova e kishte orientuar këtë parti drejt grupimit të partive tradicionale të qendrës së djathtë, ndërsa profesor Fehmi Agani ishte ndër ideatorët dhe strategët kryesorë brenda partisë për ta ndërtuar identitetin e saj. PDK-ja në fillim vendosi të jetë parti e “qendrës së majtë”. Dhe menjëherë nisi lufta verbale. LDK-ja i sulmonte si “Të kuq”. Përdorte faktin se disa nga figurat e rëndësishme të PDK-së vërtet kishin të kaluar në lëvizjet marksiste e leniniste në diasporë. Debati ishte banalizuar aq shumë sa që dallimi mes të majtës dhe të djathtës në Kosovë bëhej në bazë të asaj “A je me Sali Berishën a me Fatos Nanon”. Ka pasur edhe një episod jo të hijshëm kur elemente të rëndësishme të LDK-së ishin dyshuar të jenë përfshirë në përpjekje për ta rrezuar me forcë Qeverinë e Shqipërisë, dhe atë në kohën kur në Kosovë bëheshin krimet më të rënda ndaj popullatës civile nga ana e forcave të Slobodan Milosheviqit.

Por, tash ishte koha e pasluftës dhe ekzistonte një shans që partitë politike të profilizohen, të kenë programe të qarta, dallime mes vete dhe të dalin në tregun e quajtur “votuesit” për t’i matur forcat e tyre. Kishte shumë arsye pse PDK-së i ishte hapur rruga për t’u bërë një parti e mirëfilltë e qendrës së majtë. Bashkësia ndërkombëtare, që kishte ndërhyrë për ta çliruar Kosovën, nuk bënte dallime se kush ishte në pushtet në shtetet përkatëse, sepse mbronin një kauzë të drejtë, siç ishte ajo e Kosovës. U bashkuan të majtë dhe të djathtë, liberalë dhe të gjelbër, për t’i dalë në ndihmë Kosovës. Për koincidencë, shumica e shteteve që dhanë kontributin më të madh për Kosovën kishin qeveri të majta. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka ndasi klasike si në Evropë, por demokratët më shumë konsiderohen si të majtë, ndërsa republikanët të djathtë. Në Britani të Madhe, në pushtet, ishin laburistët e majtë. Në Gjermani, socialdemokratët. Edhe në Shqipëri, e cila me kapacitete shumë modeste bëri jashtëzakonisht shumë për Kosovën, kishte një qeveri të majtë.

Dhe kush mund ta kritikonte një parti të Kosovës se po bëhet e majtë. Kështu propaganda e LDK-së kundër “të kuqve”, me fjalorin e huazuar nga Sali Berisha dhe mediat e tija, dukej qesharake. Në Kosovë, një ndër politikanët më të dashur botërorë konsiderohej kryeministri i atëhershëm britanik, Tony Blair. Kjo për shkak të mbështetjes së tij të madhe për bombardimet e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës. Hashim Thaçi, që ishte vënë në krye të partisë të sapoformuar, atëherë PDK, e cila grumbullonte kryesisht ish-pjesëtarët e UÇK-së, kishte po ashtu simpati për Blairin me të cilin edhe ishte takuar dhe bënte fotografi. Kur Thaçi gjatë luftës për herë të parë qëndroi në Bruksel, Blairi insistoi që të shkojë në Londër për ta takuar. Prej formimit të saj, PDK-ja bënte përpjekje për t’i lidhur me partitë e majta të Evropës, ashtu siç tashmë ishte lidhur LDK-ja me Partitë Popullore (EPP) të qendrës së djathtë. Dhe kjo ishte mirë edhe për Kosovën. Socialistët evropianë ishin dhe vazhdojnë të jenë njëri prej dy grupeve më të mëdha partiake në Evropë që i takon qendrës së majtë. Një politikan i ri, me diplomë nga Vjena, me lidhje të shumta ndërkombëtare, doktor shkence dhe profesor Enver Hoxhaj, përmendej në Bruksel si “njeri kontakti” që bisedonte në emër të PDK-së për ta ankoruar atë në grupimin e socialistëve evropianë.

Përderisa LDK-ja dhe PDK-ja ishin dy partitë kryesore në Kosovë fitohej përshtypja se kështu do të jetë ndarja në qendrën e majtë dhe të djathtë në Kosovë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, që po ashtu kuptohej si parti e “krahut të luftës” e konsideron veten po ashtu të orientuar nga qendra e djathtë. Një ditë papritmas edhe Hashim Thaçi tha se PDK-ja është parti e qendrës së djathtë. Dhe se e tillë paraqitet ende. E vetmja parti e majtë në Kosovë prezantohej Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Kaqusha Jashari, e më vonë atë mendoj ta udhëheqë Agim Çeku, ish-komandant i UÇK-së, i cili më vonë hyri edhe në AAK, edhe në PDK. Por, socialdemokratët asnjëherë nuk ishin as afër që ta kalojnë pragun zgjedhor dhe mbeti si parti margjinale. E majta në Kosovë kryesisht në popull perceptohej si komuniste. Disa provojnë ta bëjnë këtë edhe sot. Qytetarët nuk mund të kuptonin se si ideologji politike socializmi nuk ka asgjë të bëjë me komunizmin. Për dallim nga Shqipëria, ku pak a shumë ekziston një ndarje në dysh mes qendrës së majtë dhe të djathtë, në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur profilizim të qartë të partive politike. Nuk ka as sot.

Se a janë të majta apo të djathta varej prej disponimit momental të liderit të partisë e jo prej programit të saj konkret. Se a janë të majta apo të djathta më shpesh si kriter merrej qëndrimi ndaj diktaturës komuniste, ndaj Luftës së Dytë Botërore, se a kanë më shumë simpati për Fatos Nanon apo Sali Berishën, a vinë nga familjet partizane apo balliste.

Se ku dallojnë të majtët nga të djathtët në Evropë rreth mbledhjes së taksave, politikave sociale, të drejtave të punëtorëve, liberalizimit të tregut e çështjeve të tjera në Kosovë nuk u interesonte shumë. Për këtë arsye edhe është vonuar kaq shumë emancipimi politik dhe profilizimi i partive kosovare. Deri te krijimi i Vetëvendosjes nuk kishte asnjë parti serioze politike të Kosovës që e konsideronte veten si parti e spektrit të majtë politikë. Të gjitha pretendonin se i takojnë qendrës së djathtë. Tash në të majtë orientohen edhe Nisma e Fatmir Limajt dhe rebelët që kishin dalë nga Vetëvendosja. Të gjitha synonin të bëhen pjesë e familjes së madhe të socialistëve evropianë. Në anën e qendrës së djathtë, LDK-ja është e vetmja që është profilizuar përmes lidhjeve me Partinë Popullore Evropiane. PDK-ja doli shumë kontradiktore dhe një ditë vendosi se është e djathtë. Këtë e tha para disa dite biznesmeni Ramiz Kelmendi, në një intervistë me Adriatik Kelmendin, duke u paraqitur si strateg për ekonomi i PDK-së, sepse do të jetë tash në listën e tyre. Ai bile foli për rrezikun nga e majta që i kanoset Kosovës.

PDK-ja, në pamundësi ndoshta që të bëhet pjesë e EPP-së ku është LDK-ja, bëri një lidhje të çuditshme. U lidh me grupimin e konservatorëve dhe reformistëve evropianë. Është një grup euroskeptik, të cilin e kishte krijuar ish-kryeministri britanik, David Cameron, kur i largoi konservatorët britanikë nga EPP-ja, sepse nuk pajtohej me idetë e tyre për thellim të integrimeve evropiane. Nuk është grupim kundër BE-së, por kundër thellimit të integrimeve evropiane. Prandaj, nuk është anti-EU, por është euroskeptike. Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, ky grupim ka mbetur i vogël dhe mbledh kryesisht parti konservatore nga Polonia dhe disa shtete të tjera, që nuk duan pushtet të Brukselit, por duan që vendet anëtare të BE-së të kenë më shumë kompetenca nacionale.

Në grupimin e liberalëve evropianë figurojnë edhe Aleanca për Kosovën e re e Pacollit dhe Partia Liberale e Gergj Dedajt.

Opinioni i Kosovës do të duhej të kishte parasysh këtë historik të profilizimit të partive politike në Kosovë për ta kuptuar se shumica prej tyre lidhjet dhe koalicionet i bëjnë sipas nevojave për pazare, private apo partiake, e jo ndonjë ideologjie të ndërtuar me vite.

Të hutuara dhe ndoshta edhe të shqetësuara nga pritjet për një fitore të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit, mes sulmeve të tjera, LDK-ja dhe PDK-ja i janë kthyer fjalorit për “rrezikun nga të kuqtë”. Kjo duket se nuk po kalon më te qytetarët e Kosovës, e në Evropë ka vite që nuk kalojnë etiketimet e tilla.

Lëvizja Vetëvendosje duket se e ka zënë hapësirën e lënë në Kosovë për t’u profilizuar si parti e majtë. Ajo është në kontakte të ngushta me socialistët evropianë, si në Bruksel ashtu edhe me parti individuale nëpër vendet e ndryshme. Disa prej tyre tashmë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës ta votojnë VV-në. Dhe, thirrjet në emër të partive për të votuar një parti në një vend tjetër nuk konsiderohen më si ndërhyrje në procese të brendshme, sepse paraqesin një solidaritet ideologjik.

Dhe Vetëvendosjes i ka shkuar shumë mirë viteve të fundit edhe në arenën ndërkombëtare. Aq më tepër në kohën kur shumë ide “të majta” tashmë janë pranuar si të mira edhe nga të djathtët. Për shembull, ideja që shtetet të kenë në pronësi edhe fabrikat që do të prodhonin pajisje mjekësore në mënyrë që të mos varen nga korporatat e mëdha. Pandemia ka ndikuar që të mos ketë aq shumë kundërshtim për një rol më të madh të shtetit në prodhimet bazike. Në fillim kishte rezerva të mëdha ndaj VV-së në Evropë. Për arsye se kishin sulmuar praninë e BE-së në Kosovë. Por, edhe në BE e pranojnë se ajo prani nuk ka qenë gjithmonë shumë efikase. Gjithsesi i kanë tejkaluar hidhërimet dhe përfaqësuesit e VV-së tash e një kohë të gjatë janë të mirëpritura në Bruksel dhe në shumë kryeqytete të tjera evropiane. Por, anëtarësimi i plotë në cilësinë e “vëzhguesit” për Vetëvendosjen në grupimin e socialistëve evropianë vazhdon të jetë një proces i papërfunduar. Por, nuk ka dyshim se mbështetja për VV-në nga ky grupim ka shënuar një rritje të madhe.

Dhe është në të mirë të Kosovës që të gjitha partitë politike të saja të jenë të lidhura me grupimet e mëdha evropiane. Për fat të keq, nuk ka një parti të mirëfillte të Gjelbër e as Liberale. Sepse, AKR-ja e Behxhet Pacollit nuk e ka dëshmuar të ketë ndonjë kriter për të hyrë në koalicione parazgjedhore, sa për të siguruar ndonjë vend në Kuvend, pa marrë parasysh me kënd hyn, me “Nismën Socialdemokrate” të Limajt në zgjedhjet e kaluara apo me “Të djathtët e qendrës” së LDK-së së Isa Mustafës. Liberalët dhe të Gjelbrit, grupe po ashtu në rritje në Parlamentin Evropian dhe janë gjithnjë e më shumë në pushtet në vendet anëtare të BE-së. Mungesa e angazhimit partiak në Evropë, në interesat e përbashkët të Kosovës, dhe angazhimi për t’i etiketuar kundërshtarët politikë, qoftë edhe në dëm të Kosovës, tregojnë se skena politike në Kosovë nuk është profilizuar si duhet as 22 vjet pas luftës.

Burimi: Koha Ditore 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.