Pasojat e Covid-it/ Nga humbja e kujtesës dhe iktuset, te krizat epileptike
Truri mund të jetë shënjestra Covid-19. Një përfundim i tillë ka dalë nga rreth 300 studime shkencore që raportojnë simptoma neurologjike të lidhura me infeksionin Sars Cov-2, duke filluar nga dhimbja e kokës dhe mungesa e nuhatjes deri në humbjen e kujtesës, mikro ishemi dhe në raste të rralla kriza epileptike.
Giulio Maira, neurokirurg me famë botërore dhe ish-profesor i neurokirurgjisë në Universitetin Katolik, thotë se është e rëndësishme të mos nënvlerësohet ky aspekt.
Covid-19 është kryesisht një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes, por sulmon edhe organe të tjera, duke përfshirë sistemin nervor.
"Publikimet për këtë janë gjithnjë e më të shpeshta dhe deri më tani ka 302 të tilla në Pubmed. Ndër të parët që e demonstrojnë këtë janë një ekip mjekësh japonezë, të cilët kishin identifikuar edemë në trurin e pacientëve të sëmurë rëndë, për shkak të inflamacionit pas përgjigjes imune ndaj SARS-Cov-2", shpjegon Alessandra Serraino, neurokirurge, pjesë e ekipit të profesor Giulio Maira.
Ndikimi neurologjik i Covid-19 ishte i pritshëm duke parë studimet mbi koronavirusët e mëparshëm. SARS, për shembull, raporton një artikull të botuar në “Nature”, sipas të cilit virusi arrin të sulmojë trurin në 0,04% të rasteve dhe MERS në 0,2%.
Përqindja me sa duket e ulët, por që, duke marrë parasysh numrin shumë të lartë të infeksioneve nga Sars-Cov-2, është shumë domethënëse. Dhe të dhënat, në këtë drejtim, po shumohen.
Provat shkencore, thekson Maira, "tregojnë se Covid ka efekt të rëndësishëm në sistemin nervor: duke filluar me një nga simptomat më të zakonshme, humbjen e nuhatjes që prek rreth 80% të pacientëve dhe është e lidhur me inflamacionin e nervit të nuhatjes. Dhimbja e kokës është gjithashtu shumë e shpeshtë, e raportuar nga rreth 15%, por problemet e kujtesës gjithashtu ndikojnë në një pjesë jo të vogël të pacientëve dhe vazhdojnë për një periudhë të caktuar kohe edhe pasi tamponi del negativ". Efekte të tjera më serioze mund të jenë çrregullimet cerebrovaskulare dhe goditjet ishemike, të cilat prekin 2.8% të pacientëve të pranuar në kujdes intensiv, dhe janë për shkak të inflamacionit të tepërt dhe hiperkoagulimit të gjakut që shkaktohen nga inflamacioni. Në raste të tjera, nga ana tjetër, mund të ndodhin hemorragji cerebrale sekondare pas infeksionit, të lidhura me hipertension, të shkaktuara nga një mosfunksionim i receptorëve ACE2.
Po ashtu, ka raste, edhe pse më pak të shpeshta, të çrregullimeve të sistemit nervor periferik të shkaktuara nga demielizimi i neuroneve, një fenomen i ngjashëm me atë që ndodh me sklerozën e shumëfishtë.
"Literatura madje përmend "format e epilepsisë tek njerëzit që nuk kanë vuajtur kurrë prej saj dhe humbjen e kujtesës të lidhur me mikroishemitë në zonën e hipokampusit". Në Angli, një studim i 125 personave me simptoma Covid dhe neurologjike evidentoi raste konfuzioni dhe një duzinë rastesh psikoze, veçanërisht tek njerëzit që ishin psikologjikisht të dobët.
Problemi kryesor është identifikimi i mekanizmit të veprimit të këtij sulmi. "Një nga hipotezat e qëndrueshme - vazhdon eksperti - është se simptomat neurologjike janë një përgjigje dytësore, jo për shkak të hyrjes së virusit në tru, por për pasojat e gjendjes inflamatore që shkakton infeksioni". Ne nuk e dimë sa zgjasin këto simptoma", por ato janë vënë re edhe disa kohës pasi virusi ishte zhdukur nga trupi. Një MRI e trurit - përfundon Maira - na lejon të kuptojmë situatën dhe ilaçet që duhen marrë. Mjekët duhet t’u kushtojnë vëmendje të madhe këtyre simptomave".
Add new comment