Ligj i ri/Garda e Republikës me drejtor, jo më me komandant
Një projektligj që synon të rregullojë veprimtarinë e Gardës së Republikës është në fazën e konsultimit publik. Drafti që mban firmën e ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, synon reformimin e Gardës, me qëllim që ta përafrojë statusin e punonjësit të këtij shërbimi me atë të punonjësit të Policisë së Shtetit. Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se problematikat që ka diktuar dinamika e punës e kanë bërë të nevojshëm hartimin e tij. Ligji që rregullon veprimtarinë e Gardës së Republikës është miratuar në maj të 2003.
Ligji i ri, në mënyrë specifike zgjeron detyrat që ka një punonjës i Gardës së Republikës. Ligji i vjetër parashikon ruajtjen dhe mbrojtjen e krerëve të shtetit, ministrave, drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit, personaliteteve të huaja dhe banesave të tyre. Ndërsa ligji i ri parashikon edhe kompetenca të reja si bllokimi i valëve transmetuese për të gjitha pajisjet ose në mënyrë selektive në zonat ku personalitetet ushtrojnë aktivitet, kur e gjykon të domosdoshme. Gjithnjë në zbatim të detyrave të sigurisë.
Po ashtu, neni 7 i ligjit të ri i lejon Gardës bashkëpunimin edhe me individë apo kompani private për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe objekteve në ruajtje. Një tjetër pikë e këtij neni parashikon përdorimin e pajisjeve të posaçme për kufizimin e veprimeve të personave që përbëjnë rrezik për personalitetet apo objektet që janë subjekt i punës së Gardës. Me ligjin e ri ndryshon edhe emërtimi për drejtuesin e Gardës, nga komandant, në drejtor i përgjithshëm. Ky i fundit propozohet nga ministri i Brendshëm, emërohet nga kryeministri dhe në ndryshim nga ligji aktual, sipas të cilit mund të zgjidhet edhe nga radhët e Policisë së Shtetit, duhet të jetë detyrimisht punonjës i Gardës që mban gradën “Drejtuesi parë” ose “Drejtues i lartë”.
Ndër arsyet që mund të çojnë në shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës shtohen edhe humbja e shtetësisë shqiptare dhe mospërmbushja e objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij. Sa u takon kritereve të pranimit në Gardën e Republikës, hiqet kriteri i gjatësisë, i cili sipas ligjit ekzistues është jo më pak se 1.75 dhe kufizohet mosha e pranimit në 19-30 vjeç.
Add new comment