Facebook shfrytëzon Brexit-in për të shmangur ligjet europiane për mbrojtjen e të dhënave
Facebook do t’i zhvendosë të gjithë përdoruesit e saj në Mbretërinë e Bashkuar, duke dalë kështu jashtë juridiksionit të ligjeve të BE-së për privatësinë.
Ndryshimi hyn në fuqi vitin e ardhshëm dhe vjen pas një lëvizjeje të ngjashme të njoftuar në shkurt nga Google. Këto kompani dhe të tjera i kanë zyrat qendrore për Europën në Dublin. Por dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja do ta ndryshojë marrëdhënien e saj ligjore me Irlandën, e cila mbetet në Union.
"Ashtu si kompanitë e tjera, Facebook-ut i është dashur të bëjë ndryshime për t'iu përgjigjur Brexit dhe do të transferojë përgjegjësitë dhe detyrimet ligjore për përdoruesit e Britanisë së Madhe nga Facebook Ireland në Facebook Inc. Nuk do të ketë asnjë ndryshim në kontrollet e privatësisë ose shërbimet që Facebook ofron për njerëzit në Britaninë e Madhe”, ka thënë për Reuters përfaqësia e Facebook në Britani.
Përdoruesit e Facebook në Britaninë e Madhe do të mbeten subjekt i ligjit të privatësisë së Britanisë së Madhe, i cili tani për tani ndjek Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR). Facebook po e bën këtë ndryshim pjesërisht sepse regjimi i privatësisë së BE është ndër më të rreptët në botë. Rregullat e BE-së u japin kontroll të imët përdoruesve mbi të dhënat që lidhen em ta.
Përveç kësaj, Akti Cloud i SHBA, i miratuar në 2018, lehtësoi shkëmbimin e të dhënave të përdoruesve të sistemeve cloud computing mes Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.
Mbrojtësit e privatësisë kanë frikë se Britania e Madhe mund të kalojë në një regjim edhe më të lirshëm të privatësisë së të dhënave, veçanërisht pasi ndjek një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, e cila ofron shumë më pak mbrojtje. Disa gjithashtu shqetësohen se përdoruesit e Facebook në Britani mund të jenë më lehtë subjekt i mbikëqyrjes nga agjencitë e inteligjencës amerikane ose para kërkesave që bëjnë për të dhëna agjencitë e zbatimit të ligjit.
"Sa më e madhe të jetë kompania, aq më shumë të dhëna personale mban dhe aq më shumë ka gjasa t’u nënshtrohet këkesave për t'ia dorëzuar të dhënat qeverisë amerikane", tha Jim Killock, drejtor ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse Open Rights, me bazë në Britani.
Add new comment