Edi Rama lëshon Lleshajn, por jo Ardi Veliun

Postuar në 11 Dhjetor, 2020 12:38

Sandër Lleshajn, po. Ardi Veliun, jo. Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se asnjë protestë nuk do ndikojë llogaritë e tija politike, të cilat u ndihmuan nga dhuna e fundit që shpërtheu në kryeqytet. Përmes një statusi në tuiter, kryeministri shkruan:

Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë!

Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të Brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!

Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj!

Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!

Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë!

Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë

Është e njëjta mbrojtje për Ardi Veliun si në rastin e incidentit të dhunës mbi një të ri në Tiranë, pak muaj më parë dhe ku Veliu u vetëkeqpërdor duke nxjerrë pamjet e së ëmës. Më vonë kreu i Policisë kërkoi falje. Ajo që është e qartë tanimë është fakti se kryeministri do të zhvillojë zgjedhjet e 25 prillit me Ardi Veliun në detyrë dhe personi në fjalë duket i panegociueshëm. Mbrojtja në këtë mënyrë tregon se Lleshaj ishte më shumë një dekor politik, pasi njeriu i besuar I z. Rama është Veliu.

Kjo është një konstante e periudhave parazgjedhore. Këtë sulm bënte PS-ja ndaj thuajse çdo ministri të Brendshëm kur ishte në opozitë, e njëjta gjë ndodh edhe tani. Dhe kjo sqaron mirë se zgjedhjet në fakt janë një ballafaqim force në territor, ku shumëkush kërkon neutralizimin e policisë, apo kontrollin e saj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.