Të pandehur që bëjnë adetin e patriotizmit
Prej dy ditësh përcillet në media ceremonia e rastit për festat e nëntorit. Në mënyrë shabllone lexon tituj kronikash të tipit: "Pavarësia bashkon politikën". Ose “Çlirimi ndan politikën”.
Pra kjo politikë martohet te Pavarësia dhe divorcohet te Çlirimi. Që për disa as nuk është i tillë.
Mirëpo ndasitë për simbole të ngjashme nuk janë të pazakonta. Në fund të fundit historia nuk është kurrë neutrale dhe një datë shenjon një fitore të dikujt, të një ideje, një procesi që nuk është thuajse asnjëherë konsensual. Në Shqipëri nuk përbën më problem kjo ndasi, pasi tanimë ne u mësuam të kalojmë nga kultura e konsensusit 100% të kultura e kontradiktës dhe antagonizmit thuajse për çdo gjë. Vetëm se ky antagonizëm është formal, për dukje. Nëse do të besojmë se mesazhet e Pavarësisë dhe Çlirimit janë saktësisht ato që na kanë mësuar, atëherë ne duhet të pranojmë publikisht se kemi dështuar.
Në institucionet e shtetit shqiptar janë njerëz që vetëm me dinjitetin nuk kanë lidhje, njerëz të cilët vazhdojnë traditën e vjedhjes së karriges së historisë duke bërë adetin e përvitshëm para monumenteve. Cilësia e kësaj trupe njihet mirë dhe qëndrimi i saj si elitë mes Nesh dhe Historisë së afërtë kompromenton rëndë të gjithë integritetin e parimeve që pretendohet se rrjedhin nga dy datat në fjalë. Me një zhargon të tyre, pra të vetë politikës, e gjithë kjo klasë, nga presidenti, te kryeministri e kryetari i opozitës janë në fakt të pandehur penalë që ende janë të lirë. Që nuk janë shpallur në kërkim vetëm nga Drejtësia, ndaj eventualisht ne kemi në krye burgaxhinj që ende nuk janë prangosur.
Sigurisht që nuk është një skenë e re kjo që shohim. Ka ndodhur edhe më herët dhe në vende të tjera që politikanë të lartë janë burgosur, dënuar apo diskredituar. Por vështirë se mund të gjesh një vend ku klasa politike si e tillë qëndron mbi themelet e një kompromisi me krimin dhe korrupsionin. Që ushqehet prej tyre dhe që sot nga podiumi që ka uzurpuar ia del thjesht ta ngrejë lart flamurin vetëm e vetëm për të treguar se është në drejtim.
se.za
Add new comment