Të vetmit normalë janë të sëmurët
Pandemia e tanishme me gjithë virusin që po i bie globit anembanë thuhet se prishi rendin e gjërave. Se cenoi normalitetin tonë se përmbysi të shkuarën.
Në të vërtetë duket se pandemia vuri në dukje se normaliteti ishte vetëm një iluzion i stabilizuar nën disa hierarki edhe ato iluzive.
Sot që flasim kanë kaluar 11 muaj nga nisja e vitit 1 të Erës së Re të Anormalitetit dhe ne jemi në gjendje të kuptojmë se të vetmit normalë në këtë botë janë të sëmurët. Ata janë të tillë sepse janë viktima të një terminologjie postum, që përputhet me terapinë pasi janë prekur prej tij. Ata presin medikamentin dhe shërimin duke mos diskutuar masat e përgjithshme, duke mos menduar për gjë tjetër veç shëndetit dhe familjes. Duke mos patur kohë të dyshojnë për planet për sundimin e botës, kushtet e këqija etj..
Kush e ka kaluar CoVid-19 e ka të qartë se ai nuk të lë kohë të mendosh të shkuarën, sepse ai përfaqëson një sëmundje pa dhimbje në përgjthësi, por me prishje tërësore të normalitetit shëndetësor. Të rehatisë, qetësisë.
Pjesa tjetër, pra Ne, jemi anormalët sepse jemi viktima të narrativave që zhurmojnë nga mëngjesi në darkë e që në kohë rekord udhëtojnë brenda ditës në mbarë globin.
Njerëz publikë që rrëfejnë përvojën e tyre me sëmundjen, sesi është maska e oksigjenit, se çfarë problemi panë kur ishin të sëmurë. Duke u rikthyer kështu në rolin publik me një thinjë më shumë në CV-në e tyre si rrëfimtarë të takimit të tyre në distancë me vdekjen.
Epidemiologë që mendojnë secili sipas midesë, që parathonë krizën, apo fundin e epidemisë, që ngrenë në qiell vaksinën, dyshojnë për imunitetin, parashikojnë valët e goditjes. Përherë duke mos kuptuar sesa shpejt po e zhveshin veten dhe po zbehin rëndësinë e tyre në sytë e një njerëzimi të kapur na çarkun e frikës dhe pasigurisë.
Kërkues që shpikin kura dhe gjejnë të dhëna nga më të larmishmet, vetëm zgjidhjen Jo.
Miliarderë që dalin në lajme për shtim pasurie dhe parashikimin e pandemisë tjetër, apo politikanët që kanë përherë dy versione për ngjarjet. Secili po shpjegon sipas të vetës pandeminë, recetat, diagnozat, arsyet, virusin me një gjeopolitikë personale sanitare.
Pandemia ishte për disa një lloj inkubacioni që do të duhet të jepte mundësinë për ta kundruar dhe kuptuar marrëzinë e përditshme ku jetojmë, por mesa duket virusi nxori në pah sëmundjet, nuk i shëroi dot ato.
Sapo pacienti i tij del nga kllapia e simptomave, tenton të rikthehet në pacientin e një “normaliteti” që vetëm i tillë nuk është. E megjithatë diçka do të duhet të jetë thyer në ato ditë apo javë të rënies poshtë në greminën e sëmundjes. Diçka që me siguri do të reflektojë në të ardhmen e afërt, pasi siç po ndihet rrjedha normale ishte diçka që ishim mësuar e për të cilën tanimë po shtiremi sikur e përjetojmë ende. Është e pabesueshme sesa shpejt e humbëm, apo na e morën atë Normale të djeshme që mirë apo keq, shenjon jetën tonë.
se.za
Add new comment