Si po raportohen viktimat e CoVid-19?

Postuar në 24 Nëntor, 2020 00:10
Skerdilajd Zaimi

 

Dëgjoni se çfarë debati zhvillohet në studion e një televizioni lidhur me mënyrën si raportohen të vdekurit nga CoVid-19 në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por edhe sesi përfaqësues të opozitës mendojnë se kanë kapur kokën e qeverisë me derë dhe nuk e lënë si e si për të përfituar politikisht dhe jo për të nxjerrë të vërtetën. Përfaqësuesi i PD-së, Gazmend Koduzi nxjerr një certifikatë vdekjeje të dikujt që pasi doli nga spitali vdiq në shtëpi dhe nuk u deklarua si i vdekur me CoVid-19. Problemi është sesi ta raportosh një gjë të tillë në statistikë ditore, përderisa Komiteti i Ekspertëve raporton vdekjet në spitale?

Nga ana tjetër, kreu i Urgjencës Kombëtare bëri një autogol kur teksa tha se kriter për klasifikimin e vdekjeve është pozitiviteti i një pacienti me tampon, nga ana tjetër shtoi se vdekjet e tjera raportohen në Institutin e Statistikave ku shënohet edhe shkaku. Mirëpo si raportohet shkaku i vdekjeve të tilla në INSTAT, kur vetë spitalet nuk klasifikojnë vdekje nga CoVid-19 apo për shkak të CoVid-19? Problemi është kompleks dhe ka mbërthyer një pjesë të mirë të vendeve. Kush quhet i vdekur për shkak të CoVid-19? Askush nuk e di me siguri, përderisa vetë tampon ka ndjeshmëri të caktuar dhe thuhet se pacientët negativizohen pas pesë ditësh. Vlera e tamponit është reale kur përgjigja vjen shpejt, ndërkohë që ne sot kemi vonesa edhe me 1 javë.

Në këtë kuptim duhet shtuar se vetë raportimi i autoriteteve shëndetësore shqiptare ka ndryshuar. P.sh aktualisht autoritetet raportojnë numrin e të infektuarve, në total dhe në 24 orë, numrin e vdekjeve, moshën e atyre që vdeisn, të të shëruarve, të tamponeve dhe shpërndarjen gjoegrafike.

Më herët, p.sh në muajin gusht kishim këtë raportim:

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 115 pacientë të konfirmuar pozitivë, 16 pacientë janë në terapi intensive, 5 prej të cilëve të intubuar.

Ju informojmë se në dy spitalet Covid po vijojnë të trajtohen edhe 14 pacientë të cilët kanë qenë pozitivë me Covid19 dhe aktualisht janë negativizuar, megjithatë vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Ndërsa vazhdojnë të trajtohen sipas protokolleve përkatëse edhe pacientë të dyshuar të prekur nga virusi i rrezikshëm

Çfarë do të thotë pacientë të dyshuar të prekur nga virusi i rrezikshëm në kuptim të plotësimit eventual të certifikatës së vdekjes? Pra si autorizon veten një mjek që të plotësojë kartelën me shkak vdekjeje: I dyshuar për infektim me CoVid-19?! Nuk ka gjasë të ndodhë, ndaj është e arsyeshme të besohet se vetë autoritetet kanë ndryshuar metodën e raportimit duke parashikuar rritjen e kurbës së infektimeve dhe për rrjedhojë edhe të vdekjeve.

Zoti Brataj bëri edhe një tjetër autogol kur tha se edhe mjekët e familjes bëjnë raportimin e vdekjeve. Mirëpo si mundet që një mjek familjeje të vlerësojë shkakun e vdekjes nëse ai ndjek një pacient me tampon negativ, por që trajtohet me kurë anti-CoVid-19?

Më tej akoma: sot që flasim nuk ka një diagnozë përfundimtare për sëmundjen, madje as në ekzaminimet radiologjike nuk përcakohet prerë se je prekur nga CoVid-19. Tamponi përcakton vetëm pozitivitetin, pra prekjen nga virusi SARS-COV-2, por jo sëmundshmërinë e provkuar prej tij, pra CoVid-19 dhe eventualisht nëse ai është shkak i vdekjes. Për rrjedhojë kriteri mbi tamponin është spekullativ përderisa nga tamponi -pozitiv ose negativ- te vdekja është i njëjti manifestim simptomatik te pacientët, i njëjti trajtim mjekësor dhe lënia jashtë raportimit ditor të atyre që vdesin, por nuk kanë tamponimin pozitiv është më së paku pasaktësi.

Është detyrim i qeverisë që të paraqesë të gjithë panoramën e vdekjeve në vend të cilat së fundmi kanë nisur të jenë më të larta sesa numri ditor i deklaruar i të intubuarve. Kush po vdes atëherë dhe si raportohen?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.