Lamtumira e fundit për Koço Devolen
E kishte ndjerë se fuqitë fizike po braktisnin, e donte që ditët e fundit t'i kalonte pranë fëmijve, Dorinës e Gencit. I ndarë nga jeta këtë të dielë në moshën 75-vjeçare, aktori ikonë i humorit Koço Devole, iku nga kjo botë i rrethuar nga dashuria. Gjatë homazheve që i bëhen pranë Medresezë dhimbja qëndron pezull, për artistin, babain, njeriun që diti të lërë gjurmë kudo shkeli.
“Dashuria, mirësia e shpirtit, zemrës së tij ka qenë e pafund. Unë erdha me shpresën që t’i bëja yzmet babit, që të shërohej babi, por nuk ishte rrisk” thotë Dorina, e cila pak ditë më parë erdhi nga SHBA për të qenë pranë të atit në këto ditë të vështira.
Sa i përket solidarizimit të dashamirësve të tij, i biri, Genci thotë se:
“Një oqean me mesazhe, pa fund kanë ardhur. A do të kem mundësi t’i falënderoj sa duhet, miqtë, kolegët e shokët?!”
Për një përshëndetje të fundit vijnë miqë e kolegë, ndërsa mes familjarëve janë edhe dy vëllezërit e tij Vlashi dhe Alfredi. E kanë të vështirë të flasin, edhe pse jashtë kamerave tregojnë se Koço Devole e donte jetën e njerëzit, sikundër edhe punën e tij. Ndërsa në sirtar flenë skenaret e aktorit, për të cilat ende nuk kishte gjetur mbëhstetje financiare.
“E shikoja vazhdimisht që shkruante në kompjuter. Ndoshta kishte një plan një lloj autobiografie të vetën”, shton më tej Genci.
Ndonëse prej afro tre vitesh Devole kurohej nga leuçemia, të afërmit tregojnë se COVID-19, për aktorin që i ishte nënshrtuar edhe bypasit në zemër, la shenja të parikuperueshme. Dhe ai ishte i vetëdijshëm për atë që po ndodhte. Kishte këmbëngulur, për të qenë pranë familjes.
“E dinte që vuante nga leuçemia. Më kujtohet që i thashë: Ik në Amerikë, shko bëji dhe njëherë analizat që të bësh një ballafaqim me këto që ke bërë këtu. “S’ka problem -më tha -e di unë çfarë kam tani”. Sikur donte të thoshte “Kaq e pata!” Unë u ndjeva i pafuqishëm”, shprehet i biri.
Me një kontribut të pasur, puna artistike e Koço Devoles degëzohet me skenarin, regjinë, karikaturën, duke pasur si bosht qëndror humorin e zgjedhur, që i bënte shqiptarët sa të qeshnin, aq edhe te reflektonin. Homazhet për artistin do të zgjasin deri të martën në orën 13.00, ndërsa më tej do të përcillet për në banesën e fundit, në Sharrë.
TvT
Add new comment