Hetime për krimet e luftës bëri formalisht edhe Enver Hoxha
Ka një përpjekje mjerane për të mbrojtur politikisht Hashim Thaçin nga vendimet e një gjykate të ngritur nga shteti i Kosovës. Urtësia popullore na mëson se “me shqiptarin të gjen belaja” dhe aq e thellë është kjo urtësi, saqë ka dalë për të vënë para vetes një pasqyrë kaq të domososhme.
Politika po synon t’i dalë përpara drejtësisë në emër të një solidariteti qorr, të një historie që mundet të bashkojë shumëkënd, por nuk mund të shlyejë të vërtetën. Përtej politikës, në veprim patriotik janë hedhur edhe media që kujtojnë krimet serbe në Kosovë që nuk mund të simetrizohen gjëkundi me krimet e palës tjetër. Ky është një tregim i përsëritur për veshët e çdo shqiptari që është i dënuar të dëgjojë këtë leksion prej dekadash, ku e mira dhe e keqja caktohen “ex cathedra” dhe çdo lëvizje është herezi. Krimi nuk ka simetri, fajësia kolektive po. Nga ana tjetër:
Cili parim mbron një krim eventual, apo anullon të drejtën për akuzë, në emër të një krimi tjetër?
Këto dredhime që kanë vetëm synime politike dhe nuk është se zbardhin asgjë, por asgjë reale, i shërbejën vetëm politikës. Askush nuk do donte që Hashim Thaçi të dënohej padrejtësisht, pra për gjëra të paqena, por le të përgjigjet ky profesor dhe politikejtë që bërtasin çfarë do të thonë nëse ndonjë prej akuzave provohet?
Ky lloj qëndrimi është i deformuar edhe në raport me regjimin e Enver Hoxhës që e kishte likujdimin fizik pjesë të arsyetimit politik. Por formalisht ai regjim, në një pjesë të madhe përpiqej ta ruante fytyrën. Për ata që janë të interesuar për këto gjëra,vlen të thuhet se në Arkivën e Shtetit ka dokumentacion të plotë për vendimet e marra nga regjimi menjëherë pas Luftës Nacionalçlirimtare, mes të cilave edhe ai për ngritjen e Komisionit Hetimor për Krimet e kryera gjatë luftës. Ky komision është ngritur që në vitin 1945 dhe në objektin e tij flitet për shqyrtimin e akteve duke konsideruar edhe pafajësinë si përfundim eventual të hetimeve.
Pse vallë, njerëz të rehatuar dhe me pasuri, në Prishtinë dhe Tiranë, e paskan kaq të vështirë të pranojnë shqyrtimin gjyqësor, por rendin të përdorin prezervativin e skaduar të narrativës nacionaliste? Çfarë fsheh vallë kjo qasje kur edhe në kuadër të luftës së Kosovës, shqiptarët ishin në dy palë? Historia do ta provojë dhe zbardhë se çfarë, ne sot intuitizojmë se qëndrime si këto vetëm diçka e mirë nuk janë.
Add new comment