Hipokrizi Krenare!

Postuar në 03 Nëntor, 2020 12:25
Gëzim Mekuli

 

A duhet të krenohen shqiptarët me yllin Rita Ora? A duhet shqiptarët të përqendrohen tek “prodhimet e huaja”? Rita Ora nuk është prodhim i yni. Nuk është “punë e jona”, as mund i shtetit tonë dhe as investim i mentalitetit tonë. Me Ritën, ma merr mendja, duhet të jenë krenarë anglezët.
Ishin vlerat e tyre që ia mundësuan Rita Orës zhvillimin e personalitetit të saj profesional. Po, është shoqëria britanike, shkolla dhe edukimi britanik, garantimi i lirisë personale, institucionet dhe e tërë infrastruktura e shtetit britanik, që duhet të jenë krenarë me Rita Orën. E them këtë, sepse ishte ky komb, ai që e zbuloi, e vlerësoi dhe e shkolloi këtë qytetare britanike me gjak Shqiptare. Por, këtu, nuk mund të mos e shtroj pyetjen “e madhe”: ç’do të ndodhte nëse Rita Ora do të jetonte në hapësirat shqiptare, në Tiranë, Prishtinë apo Shkup? Çfarë do të ndërmerrte shteti ynë për këtë talente? Çfarë bëri dhe po bën hapësira jonë shqiptare për talentet që i ka aty afër? Fjalët qëllimmira të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, se ne duhet të krenohemi me Rita Orën, mua më tingëllojnë qesharake. Përkatësia kombëtare, në vetvete, nuk është arsye dhe as shkak, qe dikush, apriori, te jetë krenar, (apo të turpërohet) me ndokënd, vetëm nëse ai/ajo është i/e të njëjtit komb. Kjo logjikë e të vlerësuarit, më shumë, më përkujton mendimin e shekullit XIX.

Po e shfrytëzoj rastin të shpreh mendimin tim edhe për një botëkuptim tjetër që ka konotacione kombëtare. Është fjala për humanisten e madhe të njerëzimit, shqiptaren, Nënë Tereza. Edhe këtu kur thonë se, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë me Nënë Terezën, më duket se është mendim i ngushtuar. Edhe kjo bindje dhe kjo logjikë na çon te mendimi i vitit 1900. Edhe Nënë Tereza ishte prodhim i shoqërive tjera, kombeve të tjera. Ishte prodhim i nxjerrë nga edukimi dhe shkollimi i marrë te kombet e tjera. A e dini se në ç’moshë e braktisi vendlindjen e saj?

Familja, e rëndësishme, por…

Po, familja ka peshën dhe rëndësinë e saj të pazëvendësueshme për edukimin e fëmijës, por a është e mjaftueshme kjo sot? Përse janë atëherë institucionet shtetërore? Përse formohet shteti? Përse ekziston sistemi shkollor? Shqiptarët i bënë të ndjehen krenarë punësimi, edukimi dhe arsimimi cilësor, rendi kushtetues, gjykata dhe prokuroria e pavarur, mediet e pavarura, respekti i sinqertë ndaj gjinisë femërore, policia profesionale dhe siguria kolektive. Po, të gjitha këto vlera shoqërore dhe popullore duhet të jenë prodhime të shoqërisë dhe të shtetit tonë: të preken e të shijohen nga populli. Nuk të bën krenar polici e kirurgu shqiptarë në Norvegji, nuk të bën krenar profesori shqiptarë në Oslo, nuk të bën krenarë kryemjeku e gazetari shqiptar në Berlin apo në Uashington. Sot në Oslo të Norvegjisë fillon gjykimi i 3 të dyshuarve për terrorizëm. Dy nga këta të rinj janë shqiptarë. Janë dy vëllezër nga Peja e Kosovës, të cilët janë të dyshuar se, kanë ndihmuar organizatën terroriste ISIS. Një vëlla i tyre, Egzon Avdyli, është vrarë në Siri duke luftuar me ISIS-in.

Edhe mbrëmë në Vjenë u sulmua demokracia nga injoranca, nga mentaliteti mesjetar e nga terrorizmi. Në këtë sulm terrorist, sipas mediave gjermane, thuhet se njëri nga terroristët ishte me prejardhje shqiptare.

Dhe përsëri pyetja: Sa shqiptar është një njeri i cili lindë, rritet, zhvillohet, e (pa)arsimohet në një shtet e në një kod të huaj kulturor? Sa % shqiptar mund të ketë tek ai njeri? Ku dhe si është kryer procesi i socializimit tëk ky njeri? Cfarë ndikoj? Nuk duhet ikur nga përgjegjësia personale e askujt, por shtrohet pyetja e madhe: Ku ishte shteti?

Tani shtrohet pyetja: kush të turpërohet e kush të "krenohet" në këtë rast?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.