Vitaminat A,E dhe D reduktojnë problemet e frymëmarrjes
Ata që marrin sasi të mëdha të vitaminës A, E dhe D mund të kenë më pak probleme të frymëmarrjes në moshë të rritur apo të avancuar. Në këtë përfundim kanë dalë një grup studiuesish, të cilët kanë analizuar të dhënat e një vëzhgimi afatgjatë në nivel kombëtar në Britani. Konkluzionet janë botuar në revistën “BMJ Nutrition Prevention&Health”.
Gjetjet e studimit, të cilat marrin rëndësi të veçantë në kontekstin e pandemisë së Covid-19, lënë vend për studime të mëtejshme, të cilat duhet të përcaktojnë sesi varion lidhja mes vitamina dhe dhe problemeve të frymëmarrjes në raport me grupet etnike dhe rajonin gjeografik.
Ushqimi ka një rol kryesor në uljen e rrezikut të disa infeksioneve, edhe pse saktësisht nuk është kuptuar se si ai e rrit imunitetin. Vitaminat A, E, C dhe D janë njohur si faktorë që kontribuojnë pozitivisht në funksionimin normal të sistemit imunitar në Bashkimin Evropian dhe Shoqata Amerikane e Ushqimit sugjeron që këto vitamina mund të ndikojnë edhe në reduktimin e infeksioneve të frymëmarrjes.
Në funksion të studimit u ndoqën 6115 vullnetarë të rritur përgjatë viteve 2008-2016. Studiuesit u përqendruan vetëm te dieta ushqimore dhe suplementet, duke llogaritur për faktorë potencialisht me ndikim, si mosha, seksi, pesha (BMI), pirja e duhanit, të ardhurat e familjes dhe kalorazhi ditor.
Në tërësi, rezultuan 33 persona që shfaqnin ankesa për frymëmarrjen. Ata ishin përgjithësisht më të moshuar dhe kishin marrë më pak suplemente të vitaminave A, E, C ose D.
Marrja e vitaminës A dhe E si nga dieta ashtu edhe nga suplementet shoqërohej me një prevalencë më të ulët të ankesave të frymëmarrjes tek të rriturit në Britani. Burimet kryesore dietike të vitaminës A janë mëlçitë, qumështi dhe djathi, si dhe karotat, perimet me gjethe jeshile të errët dhe frutat me ngjyrë portokalli. Burimet kryesore dietike të vitaminës E janë vajrat bimorë, arrat dhe farat.
Edhe marrja e vitaminës D nga suplementet, por jo nga dieta, u vu re se lidhej me më pak ankesa për frymëmarrjen. Ky konkluzion i shtohet debatit aktual shkencor mbi vlerën e suplementit të vitaminës D.
Add new comment