Diplomacia jonë flet  turqisht

Postuar në 22 Tetor, 2020 18:22
Jak Simoni

Shpeshherë fati i shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos kur bëhet fjalë për  shtete të pafuqishme,  është varur nga aftësitë e  diplomacive të tyre. Pikërisht për këtë është e rëndësishme përgatitja e diplomatëve.

Sa e sa shkolla janë bërë të famshme në botë duke përgatitur “shpëtimtarët” diplomatë të vendeve të ndryshme!  Por diplomacia jonë prej vitesh nuk po gjen “shpëtimtarët” e saj. Kohë më parë, në takimet ndërkombëtare diplomatët tanë të  brumosur më ideologjinë e partisë në pushtet vetëm do përsërisnin  sloganet  e udhëheqësit të lavdishëm.

U arrit deri në atë pikë, saqë në vitet 90 kryeministri i atëhershëm  italian i rafinuar në diplomaci  por dhe mjeshtër i batutave, pasi pa këmbënguljen e ministrit tonë të jashtëm për të mbrojtur idealet e udhëheqësit  të lavdishëm që nuk jetonte më,  u detyrua të mbyllte takimin duke i thënë: ne merremi me të gjallët, jo me të vdekurit.

Ndonëse kanë kaluar tridhjetë vjet nga ajo  kohë diplomacia jonë lë shumë për të dëshiruar. Ndonëse para ca kohësh kishim disa qëndrime dinjitoze në politikën e jashtme, sidomos në Beograd, kohët e fundit nën flamurin e mosdiskriminimit po mbrojmë papërgjegjshmërinë tonë për bijtë tanë të hedhur rrugëve të Evropës, të cilët, kur nuk mund të punojnë për të mbijetuar, mbijetojnë me rrugë të tjera. Fakt ky që nuk mund ta mohojë askush gjithashtu dhe faktin se  kriminaliteti është më i lartë tek kjo kategori njerëzish, te cilësdo etnie qofshin, por rasti e do që shumë janë të etnisë shqiptare.

Në diplomaci kërkohet një ekuilibër i vështirë për tu arritur. Aty një fjalë e thënë tepër të kushton më shumë se një fjalë e pa thënë. Gjithashtu,  aty ekzagjerimi  të dëmton më shumë se inferioritetit dhe nacionalizmi më shumë se kozmopolitizmi.

Ky ekzagjerim vijoi  me ministrin e jashtëm të Greqisë, fqinjit tonë jugor me të cilin kanë lidhur fatin qindra mijëra emigrantë shqiptarë.  Aty ishte  një ekzagjerim në  dekor, paraqitje, por  dhe me turqizma.

Ndonëse mund të ndihesh i provokuar, ministrit të Greqisë nuk ka pse i flitet turqisht, sepse  as ne nuk duam që ministri i Greqisë të na flasë  serbisht. Ishte një ekzagjerim me përfaqësuesin diplomatik të pasardhësve  (edhe pse ndoshta jo gjenetik) të filozofëve të kalibrit të Aristotelit, i cili konsideronte virtytin si veprim pa ekzagjerim, por dhe me  përfaqësuesin diplomatik të shtetit që strehon punëson prej kohesh të qindra mijëra shqiptarë.    

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.