Dokumentari që provoi pedofilinë në kishën polake, dorëhiqet një prej peshkopëve që fshehu abuzimet

Postuar në 19 Tetor, 2020 16:35

Akuzat për mbulimin e skandalit të abuzimit seksual e kanë detyruar kreun e një dioqeze në Poloni të paraqesë dorëheqjen te Ati i Shenjtë. Papa Françesku pranoi të shtunën dorëheqjen e 68-vjeçarit Edward Janiak nga udhëheqja e dioqezës polake të Kaliszit. Vendimi lidhet me akuzat ndaj tij se ka mbuluar në të kaluarën disa raste të abuzimit seksual të të miturve nga një klerik në dioqezën e tij.

Skandali që përfshin imzot Janiak shpërtheu në maj të vitit të kaluar kur dy drejtorë, vëllezërit Marek dhe Tomasz Sekielski, publikuan në YouTube dokumentarin me titull “Mos i trego askujt”, një investigim në përpjekje për të bërë drejtësi për dy persona që akuzojnë priftin Arkadiusz Hajdasz se i ka abuzuar kur ishin fëmijë dhe peshkopin e tij, Imzot Janiak, se ka fshehur gjithçka. Filmi pati një interes të jashtëzakonshëm në Poloni dhe jashtë saj. Kjo provokoi një reagim të papritur nga Kryepeshkopi Ëojciech Polak, kryepeshkop i Gniezno dhe delegat i episkopatës polake për mbrojtjen e fëmijëve. Ai reagoi me një deklaratë video për agjencinë katolike të lajmeve Kai.

"Filmi që pashë tregon se standardet e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve në kishë nuk janë respektuar", deklaroi Polak, duke njoftuar se do të kërkonte përmes nunciaturës së Varshavës nisjen e procedurave që parashikojnë ligjet e kishës. Polak në deklaratën e tij përsëriti se çdo denoncim i besueshëm i abuzimit seksual kur arrin te një peshkop "duhet të konsiderohet si një njoftim i cili detyron nisjen e një hetimi kanonik".

Dorëheqja e Janiak është paraprirë nga ajo e arqipeshkvit Slaëoj Leszek Glodz, i cili u largua në gusht të këtij viti.

Dokumentari i dy vëllezërve u publikua për herë të parë në 11 maj 2019. I bazuar në dëshminë e viktimave të priftërinjve pedofilë në Kishën Katolike polake, dokumentari paraqet përballjen e palëve shumë vite pas abuzimit. Asnjë televizion i madh nuk pranoi produksionin e një materiali të tillë, kështu që gazetari Tomasz Sekielski dhe vëllai i tij mblodhën fonde dhe pasi përfunduan të gjithë materialin, e publikuan atë në Youtube. Dokumentari u prit me një interes të jashtëzakonshëm. Vetëm 5 ditë pas publikimit, ai kishte mbi 16 milionë shikime. Aktualisht, ai është parë nga rreth 24 milionë njerëz.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.