Historikisht dështakë kronikë, zyrtarisht Asnjëherë
Gazeta greke “Kathimerini” publikon sot një shkrim të Apostolos Lakasas që referon nga ana e vet një studim të Autoritetit Helen për Cilësinë në Arsimin e Lartë, sipas të cilit Greqia nuk është në gjendje tërheqë profesionistët e talentuar. Raporti vë në dukje disa arsye ku p.sh bie në sy e dhëna se për shkak të krizës së fundit ekonomike, rreth 450 mijë profesionistë nga Greqia, pra persona të diplomuar u larguan jashtë vendit për arsye të papunësisë, uljes së pagave dhe përfitimeve sociale.
Rikthimi i tyre në vend do t’i kushtojë Greqisë 15 miliardë euro dhe referuar Indeksit Global të Konkurencës së Talenteve për vitin 2020, Greqia renditet në vendin e 81-të për tërheqjen e talenteve, e 30-ta në aftësinë për t’i mbajtur ata dhe e 60-ta në zhvillimin e talenteve. I njëjti indeks i jep Shqipërisë vendin e 62-të, pra shumë më mirë sesa Greqia, ndërkohë që Mali i Zi kap vendin e 48-t.
Indeksi merr parasysh shumë të dhëna që kanë të bëjnë me vendin përkatës duke ndërtuar një renditje që ka edhe ajo kompleksitetin e vet. Por këtu çështja nuk është kjo. Çështja është politike. Përballë kemi një vend të BE-së që performon shumë keq dhe autoritetet e tij e pranojnë një gjë të tillë, duke njoftuar se në Ballkan nuk ka me të vërtetë ekonomi të suksesshme.
Përtej kësaj, renditja e Shqipërisë të lë pak të befasuar, pasi kemi të bëjmë me një vend që “Punë ka, por mungojnë profesionistët”. Ndaj si vallë në një vend ku kreu i ekzekutivit thotë këtë gjë të kemi këtë renditje? Me siguri që kemi të bëjmë me një nga ato mrekullitë shqiptare me ekonominë që e bëjnë atë vend kaq interesant. Dikur Spartak Ngjela tregonte paradokset e komunizmit shqiptar që lënë pa gojë çdo economist e megjithatë tingëllojnë si të vërteta:
Të gjithë kanë punë, asnjë s’punon. Asnjë s’punon, planet realizohen. Planet realizohen, tregu është bosh. Tregu është bosh, asnjë s’vdes nga uria.
Sa dallojnë këto paradokse me kohën tonë? Shumë pak. Profesionistë nuk ka, por talentet ardhkan. Diçka që nuk përkon me logjikën dhe faktin e vendit ku jetojmë, ndonëse narrativa zyrtare thotë krejt të kundërtën dhe vetëm një kryefjalë: Suksesin!
Dallimi i vetëm serioz këtu është me faktin se kjo narrativë ka mykur çdo mendje, pikërisht për faktin se ndonëse dështojmë historikisht që nga themelimi i shtetit, asnjëherë nuk kemi dështuar zyrtarisht. Përndryshe le të vazhdojmë me paradokset tona të rilindura: Punë ka, mungojnë profesionistët. Profesionistët ikin, talentet vijnë.
Add new comment