GJEDNJ u mbyll derën ish-pronarëve: Shqipëria ka ligjin e duhur për pretendimet tuaja
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur të mos marrë më në shqyrtim çështjet e pronësisë që depozitohen pranë saj nga ish-pronarë shqiptarë, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre përballë shtetit. Një listë prej 77 çështjesh të dërguara në këtë gjykatë nga ish-pronarët janë kthyer mbrapsht me argumentin se drejtësia shqiptare i ka tashmë mekanizmat për t’i trajtuar.
Kërkesat në fjalë janë depozituar në GJEDNJ në periudhën midis viteve 2010 dhe 2015 dhe kanë të bëjnë me mosekzekutimin e zgjatur të vendimeve përfundimtare, të cilat u kanë njour të drejtën e kompensimit ish-pronarëve, në bazë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara apo të shtetëzuara nga ish-regjimi komunist.
GJEDNJ vlerëson se Ligji për Trajtimin e Pronave, i miratuar në vitin 2015 nga Parlamenti shqiptar dhe që ka hyrë në fuqi nga 24 shkurti i vitit 2016, ka të gjithë mekanizmat për të trajtuar pretendime të kësaj natyre. GJEDNJ sjell si referencë çështjen e familjes Beshiri dhe 11 kërkesa të tjera kundër shtetit shqiptar, të cilat me një vendim përfundimtar i deklaroi të papranueshme në maj të këtij viti.
Sipas GJEDNJ, të gjitha rastet e listuara janë të ngjashme me rastin Beshiri dhe duhet të bien nën fushë-veprimin e ligjit të miratuar në 2015 nga Parlamenti shqiptar.
Comments
sa mire ua beri ... se
sa mire ua beri ... se kujtonin se duke shkuar ne Strasbourg do mernin pare me vendime gjykatash te jashteme.
cani barkun tashti me sistemin e kalbur gjyqesor shqiptar .
Add new comment