Është luftë për llokmën e Butrintit, asgjë më shumë
Butrinti është llokmë e madhe dhe prej tij nuk mund të heqësh kollaj dorë. Këtë kupton nëse sheh sesi po “lëvizin gjërat” për Planin e ri të Menaxhimit. Duhet thënë në parantezë se askush nuk i ka bërë Planit një oponencë reale, në mënyrë që të gjithë, ata që kanë interes të kuptojnë se çfarë fshihet pas tij, nëse diçka fshihet. Kemi vetëm, një lloj sulmi përqendruar në një argument banal të artikuluar nga Auron Tare mbi faktin se Butrinti po u jepet të huajve. Në përpjekjen për të mbështetur axhendën kundër “dhënies së Butrintit të huajve”, ka dalë sot edhe një specialist izraelit me emrin Giora Solar, i cili prezantohet në gazetën “Dita” me një vargan titujsh dhe punimesh si e si për të impresionuar lexuesin shqiptar që duhet të besojë se ajo që ai thotë është e vërteta.
Ta themi qysh në fillim: z. Solar duhet respektuar, por fjala e tij nuk është Bibla. Mes të tjerave zotëria thotë se:
Qeveria mund të vendosë që të nënshkruajë një marrëveshje me një kontraktor, i cili, në mungesë të një ekspertize lokale, mund të jetë privat, vendas ose i huaj. Por kjo mund të bëhet vetëm nëse shteti ka një mekanizëm qeveritar, profesional të posaçëm për menaxhimin e siteve të trashëgimisë – që të mbikëqyrë kontraktorët. Dhe sigurisht në një sistem të përshtatshëm dhe të ndershëm, një kontraktues i tillë do të zgjidhej pas një oferte të hapur. Por ky nuk është rasti as në Shqipëri, as në Butrint apo në ndonjë pjesë të planit të tij të ri të menaxhimit
Pra z. Solar nuk e përjashton a priori praninë e të huajve në menaxhimin e parkut të Butrintit, apo një parku të ngjashëm me të. Ai sillet në këtë intervistë si një zë autoritar Kundër Planit të tanishëm që duket se kalon në duar të tjera një pasuri të tillë. Mirëpo prononcimi i zotërisë për këtë çështje nuk është i pari. Në vitin 2013, z. Solar do të prononcohej për mediat shqiptare duke vënë në dukje ndër të tjera këtë aspekt në menaxhim:
Lidhur me zbatimin e rekomandimeve - kjo është plotësisht në duar të qeverive dhe autoriteteve përgjegjëse. Ne, profesionistët, mund të bëjmë më të mirën e mundshme nga ana profesionale, por kemi pak në dorë kur vjen puna të vënia në zbatim e rekomandimeve. Kur u hedh një sy 3 planeve të ndryshme menaxhuese që janë përgatitur për Butrintin që nga viti 2000, problemi i tyre kryesor është se shumica e rekomandimeve mbi to nuk është zbatuar.
Kjo nuk ka ardhur si pasojë e njerëzve jo-profesionistë apo nga mungesa e buxhetit, por nga një kombinim i strukturës së organeve vendimmarrëse të përfshira në vendimet e mëdha mbi këtë vend. Ka pasur të bëjë më së shumti me dobësinë e pozicionit dhe të autoritetit të drejtuesve të zonës (por jo domosdoshmërisht faji i tyre vetjak) përballë organeve të tjera shtetërore (Instituti i Monumenteve dhe i Arkeologjisë). Ndonjëherë ka të bëjë edhe me mungesën e përvojës së mjaftueshme të stafit lokal dhe personelit tjetër - po kjo është çështje me rëndësi më të vogël
Problemi me Butrintin siç e sheh z. Solar nuk është kombësia e menaxherëve, por mozzbatimi i rekomandimeve sipas planeve përkatëse. Pra siç ndodh rëndom në Shqipëri, kemi ligje dhe ato thjesht nuk zbatohen. Zoti Solar këtu vë në dukje edhe faktin se dështimi për të zbatuar rekomandimet ka të bëjë edhe me mungesën e përvojës së stafit, por e relativizon një gjë të tillë. Nëse vlerëson në tërësi kritikën e tij mund të dalin dy çështje: së pari z. Solar është autor i një Plani për Butrintin që nuk iu miratua.
Së dyti, ai nuk ka vërejtje thelbësore për Planin e ri të Menaxhmit, pork a vërejtje që nisen nga premisat e përvojës së deritanishme, që mund të jenë edhe eufemizëm i një konflikti interesi. E themi këtë sepse z. Solar ka dalë hapur në mbrojtje të z. Auron Tare në debatin e zhvilluar në vitin 2005 për këtë çështje kur në media doli lajmi se Butrinti do të nxirrej nga lista e monumenteve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s sepse nuk ishin zbatuar rekomandimet e organizatës.
Në atë debat të zhvilluar në Sarandë merrnin pjesë përfaqësues të UNESCO-s, përfaqësues të Fondacionit “Butrinti”, të Instutit të Arkeologjisë. Me Ridgard Hodges që i përket fondacionit, Auron Tare ka zhvilluar edhe një replikë në media që është publikuar dhe njihet. Z. Hodges në atë debat zyrtar ka thënë hapur se Auron Tare në cilësinë e drejtorit të Parkut të Butrintit:
nuk ka realizuar me përpikmëri masterplanin e lënë nga UNESCO
Mendime kundër mënyrës si drejtonte z. Tare ka dhënë edhe Muzafer Korkuti me vërjetjen e tij se:
Dëgjova këtu për ndërtimin e kinemasë verore, por nuk dëgjova për muzeun arkeologjik asnjë fjalë të vetme nga drejtori i Parkut. Nuk pashë perspektivë në planet e tij
Sigurisht që këto janë opinione, por në fund jemi në një fushë ku politikat ndërtohen mbi përvojën dhe opinionet dhe jo ekuacione. Sot z. Tare përpiqet të vërë në dukje një aspekt problematik të Planit të ri të Menaxhimit të Butrintiti, por siç e kemi theksuar edhe në shkrimin e mëparshëm, ai nuk arrin të argumentojë se ku qëndron problemi dhe pse është i tillë. Nga ana tjetër, dalja në skenë e njerëzve si Solar, megjithëse e mirëpirtur, lë hije dyshimi mbi motivet. Le të vëmë këtu në dukje faktin se në debatin e vitit 2005 që sipërcituam. Z. Solar do të dilte hapur në mbrojtje të z. Tare duke iu kundërvënë vërejtjes së Korkutit se në Butrint duhet të drejtojë një arkeolog me qëndrimin se:
menaxhimi i punës drejtuese në një park i çfarëdolloj përmase qoftë ai, bëhet mjaft mirë dhe nga një person që nuk ka eksperiencë në fushën e arkeologjisë
Nëse është kështu si atëherë të kërkojmë probleme në aspektin e kombësisë? Rasti i Izraelit, identiteti historik dhe ekzistenca e të cilit kontestohet nga thuajse të gjithë fqinjët arabë nuk vlen si shembull për Butrintin dhe është tallje e madhe të thuash se po na preket identiteti. Shikoni sesi e shet historinë e vet të suksesit z. Tare në krye të Parkut Arkeologjik asokohe:
Një nga hapat pozitivë të punës së administratës së Parkut, është vlerësuar dhe ndalimi i rrënimit të vlerave kulturore me anë të rehabilitimit dhe rikonstruksionit të herëpashershëm. Devijimi i rrugës nacionale që të çon në Konispol, është vlerësuar një tjetër arritje për faktin se ka shpëtuar nga prishja një numër i konsiderueshëm objektesh antike. Një nga pikat më interesante është integrimi i komunitetit në zhvillimin e zonës, pasi parku duhet bërë pjesë e komunitetit.
Në këtë kuadër është ndërtuar një shkollë tetëvjeçare në fshatin e Vrinës, është realizuar tregtimi i prodhimeve artizanale të banorëve të zonës përreth, është mundësuar zhvillimi i xhirove me varka, ndërtimi i kinemasë verore si dhe realizimi i Festivalit teatror ”Butrinti 2000”
Dhe kjo pasi ishte shprehur kritik se për aspektin e gërmimeve fajin e kishte Instituti i Arkeologjisë.
Le ta mirëkuptojmë z. Tare për të gjitha këto dhe t’i shumëzojmë me zero. Sërish ne pyesim: cila është vërejtja reale, oponenca për Planin e Menaxhimit, pasi nëse hedhim sytë pas aty të huajt kanë dhënë tonin. Dasitë e zotërisë përshfaqin një sfond interesash ekonomike që mbulohen trashë pas shqetësimit për trashëgiminë, por le të mos bëjmë të gjithë syleshin e të besojmë se Butrinti ka mbetur në duar të njerëzve që luajnë demagogun me trashëgiminë. Sepse kush shkon në Butrint e sheh që zona nuk ka përfituar aspak dhe është koha që një gjë e tillë të ndryshojë. Për ta thënë me fjalët e mikut të z. Tare. Solar: Do të duhej që një Plan të zbatohej për të parë ku shkojmë sepse mesa duket planet kanë mbetur në letër edhe për shkak të njerëzve si z. Tare, apo të tjerë.
Add new comment