DASH: Korrupsioni dhe PPP-të dekurajojnë investimet e huaja në Shqipëri

Shqipëria vijon të mbetet një terren i vështirë për investitorët e huaj. Në raportin e vitit 2020 mbi klimën e investimeve në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit sheh si pengesat kryesore për investimet e huaja: korrupsionin veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave. DASH konstaton në raport se koncesionet kanë dëmtuar konkurrencën duke nxjerrë jashtë loje investitorët e huaj.
“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”, thuhet në raport.
Raporti ndalet specifikisht në përvojën e investitorëve amerikanë.
“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin”, thuhet më tej.
Një tjetër faktor pengues për investimet e huaja në Shqipëri vijon në mbetet problemi i pazgjidhur i pronësisë. Në këtë pikë, vendimet e padrejta të gjykatave kanë shkaktuar kaos, gjë që dekurajon investitorët e huaj.
“Të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri sepse titulli i qartë është i vështirë për t’u fituar. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokën e konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i papërshtatshëm”, thuhet në raport.
Duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut perceptohen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor, DASH përfundon se vetingu dhe ndryshimet që janë në zbatim e sipër në kuadër të reformës në drejtësi shihen si një element që mund të sjellë si rezultat përmirësimin e klimës së investimeve.
Add new comment