Rezistenca ndaj antibiotikëve, bakteret sakrifikojnë veten për koloninë
Kërkues të universitetit Austin në Teksas të SHBA kanë vëzhguar në praktikë mënyrën sesi disa koloni bakteresh arrijnë të rezistojnë ndaj antibiotikëve. Ideja se bakteret vdesin për të shpëtuar tufën – nëse mund të shprehemi kështu – është hedhur herët, një dekadë më parë, por vetëm tani kjo verifikohet tërësisht.
Konkretisht është supozuar se në një tufë bakteresh që arrin në miliarda, kur veprohet me antibiotikë, 25% e tyre vdesin, ndërsa pjesa tjetër shpëton.
Mekanizmi dhe arsyeja e kësaj sjelljeje nuk është vetëm veprimi i antibiotikut, por edhe i baktereve të vdekura, të cilat para se të asgjësohen emetojnë ato që quhen nekrosinjalizues për bakteret e tjera në mënyrë që ato të nisin e të aktivizojnë të ashtuqujturat pompat e efluksit, që nuk janë gjë tjetër veçse mekanizma molekularë që nisin të nxjerrin jashtë antibiotiokun. Nga ana tjetër bakteret e vdekura shërbejnë si ushqim për koloninë, duke dhënë kështu kohë jo vetëm për mbijetesë, por edhe për përshtatje dhe ndryshim.
Ky mekanizëm qëndron pas problemit të rezistencës bakteriale, një problem serioz në mjekësi, pasi ka vënë në diskutim vlerën e antibiotikëve duke rrezikuar një nga arritjet më të mëdha në shëndetin e njeriut. Jemi para një parimi evolutiv në veprim të plotë dhe shumë efikas, por që i zbuluar mundet të ndihmojë shkëncëtarët që të rishikojnë mënyrën e funksionimit të antibiotikëve të rinj. Vëmendja po përqendrohet te nekrosinjalizuesit, pasi pa to, të paktën në dritën e vëzhgimeve të tanishme, kolonia e baktereve nuk mund të rezistojë ndaj antibiotikut.
Add new comment