Budallallëku, padija dhe hiletë simetrike gjatë pandemisë
U bënë muaj që bota mbarë jeton e detyruar në kushtet e pandemisë së provokuar nga CoVid-19, e cila përveç numrit të vdekjeve ka krijuar kushtet e një sifde të hapur ndaj të gjithë raportit të besimit ndaj institucioneve.
Ne po shohim përditësim protokollesh dhe vlerësimesh mbi vetë virusin. Do të duhet të mbahet parasysh se vetë sistemi shëndetësor i vendeve kryesor ndryshoi klasifikimin e sëmundshmërisë së virusit që nuk quhet më mirëfilli respirator. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm që përcakton jetën e pacientit, mjekimin e tij dhe pasojat.
Vetë mjekësia po mëson rrugës se çfarë duhet të bëjë dhe duke skartuar teoritë konspirative dhe negacioniste, duhet të pranojmë se njerëzimi është bashkëpërgjegjës për shëndetin e vet në këtë sfidë. Në këtë kuptim debatet e nisura nuk kanë ndonjë kuptim të vërtetë për arsyen e thjeshtë se janë shumë pak, fare fare pak, njerëzit që me të vërtetë mund të thonë diçka me vlerë në këtë diskutim.
Le të marrim karantinën. Shqipëria ishte ndër vendet e para që e aplikoi atë dhe në fazën e parë arriti të merrte efektin e pritur: kufizim përhapjeje dhe numër i ulët të shtruarish. Mirëpo kjo situatë dhe premisat nga u nisën qeveritë injorohen tërësisht dhe sot kemi një marrëzi të plotë që reflektohet tek akuza nga më asburdet: kemi kaluar nga akuza për strategji terrori në akuzat për strategjinë e menefregimit nga qeveria. Në masa të ndryshme këto akuza gjallojnë kudo.
Në Shqipëri kemi një situatë komike që verifikohet si gjimnastikë mediatike shoqëruar nga ndonjë deklaratë vere e presidentëve të këtij vendi, që na thotë përditë se “sitiuata ka dalë jashtë kontrollit”. Se kemi shtim të jashtëzakonshëm të infektuarish, ndërkohë që kemi katërfishim të infektuarish ditorë në krahasim me prillin dhe shtim me 1.5-1.8 herë të numrit të testeve.
Kemi situatë shqetësuese, po, por jo jashtë kontrollit. Pasi askush nuk ka vënë në diskutim stokun e barnave që përdoren kundër CoVid-19 dhe protokollin e mjekimit të tij që është universal në çdo vend. Ose thuajse në të gjitha vendet. Ka një akuzë – dje nga ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia – për testet. Sipas zotit Spahia testet që japin rezultat fals negativ nuk janë cilësorë dhe janë provë e korrupsionit të qeverisë. Zoti Spahia, si çdo opozitë e këtij vendi pak interesohet të kuptojë se çfarë thotë: shtyp butonin dhe jepi se delet e Shqipërisë do ta hanë.
Kjo pasi debati për testet është global. Në qershor qendra e njohur John Hopkins deklaronte se një në pesë teste japin negativitet fals për arsye të ndryshme, ndërkohë që sot Bill Gates deklaronte në një intervistë se:
Testet në SHBA janë për në plehra
Tritan Shehu deklaronte sot se qeveria nuk po bën asgjë për të kontaktuar me kompanitë e mëdha të vaksinave tani që afron shtatori dhe vjeshta. Mirëpo Shqipërisë i nevojiten e shumta 7 milionë doza, po të llogarisim dy dozime dhe në kushtet kur BE-ja ka porositur qindra milionë doza, është e qartë se Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga kjo paketë siç përfitoi – ndonëse me pak vonesë – nga e drejta për akses në tregun e pajisjeve mjekësore në fillim të pandemisë.
Gates u përgjigj se nëse do të prekej nga koronavirusi do të kërkonte remdesivir dhe dexamethasone, të dyja të disponueshme në Shqipëri, ndërkohë që aktualisht askush nuk propozon riaktivizimin e karantinës.
Panorama e kësaj pandemie na vuri të gjithëve para disa çështjeve të mëdha, për të cilat është shumë mirë që të kemi gjykimin tonë, por duhet edhe të dëgjojmë ata që ndoshta kanë se çfarë të thonë më shumë. Kështu sistemi shëndetësor i asnjë vendi nuk ishte i përgatitur, në çdo pikëpamje.
Masat e marra jo të gjitha duhet të jenë në rrafsh global apo rajonal, pasi mund të ketë edhe masa në rrafsh kombëtar, ndërkohë që askush nuk propozoi diçka të qenësishme dhe me vlerë, një variant alternativ ndaj masave të marra nga qeveritë e vendeve të ndryshme. Duhet të jemi koshientë se ishin të shumtë që vepruan nën presionin e skenarit më të keq, skenar i cili konsiderote përqindjet e mortalitetit dhe përhapjes që për CoVid-19 sipas OBSH ishin: 70% infektim, 80% e të cilëve asimptomatikë, 20% me simtpoma, nga të cilët 5% në rrezik vdekjeje.
Llogaria mbi këtë skenar e vendos çdo qeveri në kushte të jashtëzakonshme. Le të kujtojmë se Boris Johnson në Britaninë e Madhe pranoi karantinimin pas një studimi që i konfirmonte vdekjen e 250 mijë njerëzve që zbret poshtë këtyre përqindjeve dhe Johnson ishte ndër ata që neglizhoi fillimisht masat. Sot njoftohet se Britania do të rivlerësojë numrin e të vdekurve.
Muajt që vijnë ne do të dëgjojmë shumë mjekë opozitarë që japin mend dhe vënë alarmin, por nga konstatimet intuitive në marrje vendime qëndron në mes shumëçka. Dhe pikërisht rëndësi kanë vendimet. Kjo nuk do të thotë të mos flasësh për problemet e sistemit, kur dihet se ne jetojmë në një vend që ka sistem të dështuar shëndetësor. Mirëpo në rastin e pandemisë duhet të pranojmë se ne nuk u vumë në provën e Italisë dhe nuk mundet të flasim dot për katastrofë, kur katastrofa nuk është. Nuk mundet që ish-ministra dhe ish-kryeministra që kanë drejtuar vendin në kohën e pandemisë së vitit 2009 të shndërrohen në zëdhënës paniku, teksa incidente apo probleme që janë të vazhdueshme në këtë vend t’i kthejnë në simbole dështimi.
Sigurisht që qeveria e z. Rama nuk është e aftë, as bëri vezën e kuqe. Dhe duhet të japë llogari një për një – Lulzim Basha patjetër që e ka për zemër këtë gjë – për tenderat dhe prokurimet. Mirëpo një herë të vetme në këtë botë, e në këtë mandat, opozita duhet të përpiqet që të thotë diçka të besueshme dhe të hajrit, konkrete të prekshme që me të vërtetë të kuptohet se kemi të bëjmë me flluska të një sistemi të kalbur, papërgjegjshmëri personale, apo në drejtim. Përndryshe çdo akuzë apo denoncim ilustron se opozita e ka marrë me kohë koronën që na doli sëmundje multisistemike, bash si simptomat që ka kjo opozita jonë.
s.zaimi
Add new comment