Ashtu është një muhabet
Fatos Nano është padrino. Këtë thoshte Sali Berisha dikur. Madje Nano ishte klan i Zemunit në Beograd.
Pak më vonë, kur ashtu ishte një muhabet, Berisha tha se i kishte bërë akuzat për qëllime elektorale.
Edi Rama është lavatriçja e Ballkanit. Këto thoshte dikur Berisha. Pastaj, në vitin 2008, kur ashtu kishte një hall ra dakord të ndryshonte Kushtetutën.
Gjithë fajin e ka Saliu. Sali Gërdeci… Këto thoshte Edi Rama dhe të vetët për vite më radhë. Pastaj kur u mor pushteti Edi Rama ia la çdo gjë historisë.
Po Ilir Metën e mbani mend se çfarë thoshte për Edi Ramën? Sesi shpërfytyrohej kur fliste për të? Në vitin 2013 ata ishin bashkë për të ardhmen e Shqipërisë.
Karagjozi i radhës, Lulzim Basha, e shpalli Edi Ramën njeriun e krimit, dikush që ka mbi shpinë të gjitha mëkatet. Në vitin 2017 fap-fap, firmosi bashkëqeverisjen.
Sot i Keqi është Edi Rama sepse ai ka duart te thesi dhe ka kapur karrigen. Ndaj o burra të mbyllim sytë para të tjerëve. Në këtë klimë dalin manjanë që mallkojnë votuesit e Ramës, ndonëse këto urrejtje publike nuk kanë asgjë të pallogaritur apo asgjë që lidhet me interesin tonë. Është një marrëdhënie e prishur diku dhe kush e di për çfarë.
Dhe këtë do të kemi rast nesër ta shohim kur ky rrobaqepësi i kryeministrisë të ketë ikur. Do shfaqen darkave e drekave duke qeshur. Sepse ashtu është një muhabet në këtë vend ku 30-40 njerëz përqeshin një popull të tërë që njëherë bën sikur nuk kupton, e njëherë aq kupton vërtet.
Add new comment