Bindja "e përhapur" se po zëvendësohemi me sirianë

Postuar në 25 Korrik, 2020 14:53

Pandemia ka vënë në lëvizje një zinxhir teorish konspirative që herët apo vonë, nëse situata nuk menaxhohet si duhet, do të prodhojë pasoja politike së paku. Shqipëria nuk përjashtohet nga kjo valë globale teksa një kategori njerëzish adoptojnë interpretime të ndryshme në internet për të shpjeguar dyshimet e veta. Sëmundja është reale, atë e prekim dhe shohim te njerëz të afërt që nuk ka sesi të jenë të gjithë pjesë e një loje aktoriale masive. Kush i rekrutoi të gjithë këta xhanëm pa rënë në sy?

Ajo është aty dhe po godet, pavarësisht se çfarë emri i vëmë ne, apo mjekët. Pavarësisht se është virus i ri, apo një shtamë e re e një virusi të vjetër. Sëmundja është reale edhe nëse ajo ka si shkak një rrjedhje nga laboratori, apo është krijuar natyralisht. Dhe vaksina është një përgjigje mjekësore e zakonshme e njohur deri më sot.

Mirëpo nga të gjitha këto bindje, asnjëra deri më tani nuk ka zënë vend gjerësisht në Shqipëri, veç njërës që e has çuditërisht edhe në njerëz që kanë të dhënat bazë të një arsyetimi të pavarur. Kjo është bindja se në Shqipëri ka një projekt për boshatisjen e saj nga shqiptarët dhe zëvendësimin e tyre me sirianë. Një ofezë kjo e hapur për sirianët që janë një popull me histori dhe kulturë të madhe, vend i traditave fetare nga më dominueset dhe përmbi të gjitha me një emigracion, pra dëshirë për të lënë vendin fare minimale. Sirianët i ktheu në refugjatë një luftë që ua çuan në shtëpi. Por ndoshta ky është projekti dhe ne nuk e dimë. Diku ata do të shkojnë dhe ja Shqipëria, elita politika e saj është e gatshme ta bëjë këtë. Duke keqqeverisur dhe bërë të padurueshëm jetesën këtu, shqiptarët do ikin dhe këtë e thonë statistikat dhe raportet ndërkombëtare, në vend të tyre vijnë sirianët. Dhe kështu politika e Tiranës, sorosianët dhe Rama përmbushin një mision masonësh.

Është e pabesueshme sesa shumë e has këtë bindje. Kudo. Në kategori të ndryshme njerëzish. Presidenti I Republikës flet tashmë për një projekt të tillë, ndërkohë që ajo ngacmohet nga ide të pakujdesshme si ajo e punëtorëve të huaj. Është nga ato bindje që injoron p.sh faktin bazik se keqqeverisja e tanishme mund të shpjegohet me një dështak organik në krye, me një frikacak që drejton një parti delesh politike. Jo, këtu ecim më tutje. Paaftësia është pjesë e një plani më të madh. Është po ashtu e vështirë të argumentosh deri në fund se ky plan nuk ka mundësi për t’u programuar, por se lëvizja drejt vendeve të pasura është ligjësi e historisë së njerëzimit. Dhe ne jemi në gjurmën e një rruge që shkon drejt vendeve të pasura.

Këtu nuk është puna të zbulojmë të vërtetën, sepse nuk mundemi me mjetet që kemi, por të kuptohet se kjo bindje është dëshmi e shkëputjes së plotë të një raporti besimi me politikën, me institucionet që tanimë shihen si të huaja. Bindja se po na zëvendësojnë ushqen psikologjinë e refugjatit në vendin tënd dhe është paralajmërim i një krize shumë më të madhe e cila vetë shpall kufijtë tanë si individë dhe shoqëri. Ajo dikur mund të mëtojë të kthehet në shpjegim edhe të dështimit tonë si shoqëri, të prishjes së mirëkuptimit social që na karakterizon aktualisht duke u mbivendosur dhe mbuluar nevojën emergjente që krizën tonë ta shpjegojmë për atë që është me të vërtetë.

Mbërritja në këtë pikë ka shumë arsye. Politika ka përgjegjësi padyshim, të madhe madje. Qeveria e tanishme ka përgjegjësi, të madhe madje. Por kapitalizimi i kësaj epidemie do të ishte një gabim i madh sepse do zhvendoste fokusin nga problemet reale që burojnë nga mënyra si funksionon kjo shoqëri dhe raporti i saj me të vërtetën e gënjeshtërt që i thotë vetes. Koha e gjysmë të vërtetave është përherë dëshmi krize dhe dështimi të demokracive jofunksionale si kjo e jona. Europa qendrore e para luftës është një ilustrim i kësaj dhe vendimet e disa qeverive janë refleks i vazhduar i asaj kohe.

Problemi është se pse vendi ynë arriti në një klimë politike mbytëse si kjo. Një arsye është patjetër edhe dështimi i opozitës, mbyllja e një perspektive për shoqërinë që do të kërkojë kohë sa të rigjenerojë referencat e veta për të ardhmen. Deri atëherë e vetmja detyrë është të qëndrohet syçelët dhe të ftohtë ndaj çdo propozimi që do bëhet, sepse nuk do mungojnë: që nga lëvizjet nacionaliste dhe sovraniste të atyre që i kanë duart të zhytura deri në fund në thesin e plaçkitjes, deri tek ideja tashmë banale se shqiptarët i shpëton vetëm bashkimi. Askush nuk përmend demokracinë, tregun e lirë, konkurencën dhe sipërmarrjen dhe askush nuk i shpall më ato si dikur në vitet ’90 si aspiratë. Edhe pse janë pikërisht ato që i mungojnë këtij vendi të kapur që po e lë veten të kalojë nga “ekonomia” e fondacioneve të para disa viteve, tek ëndrrat me sirianë dhe iranianë, apo me bashkim e vëllazërim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.