A mund t’u besosh këtyre? Ku janë sondazhet fituese të Bashës?
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata ka dhënë sot një intervistë për AbcNews. Intervistë e cila jep sadopak të kuptojë se në ç’gjendje është opozita e sotme shqiptare. Megjithë skandalet e qeverisë, dështimin dhe korrupsionin, opozita detyrohet të gënjejë. Ose për të mos e akuzuar padrejtësisht: detyrohet të besojë gjëra që në asnjë rrethanë nuk mund të besohen. Thotë ndër të tjera, z. Gjata:
I thotë mendja do të ndërrojë Kushtetutën. Kush e ka këtë luks të bëjë gjëra të tilla? Pa dashur ti hyjmë, që ana tjetër e monedhës është frika e humbjes së zgjedhjeve. Ka parë sondazhet. Po ndryshove kushtetutën duhet të ndryshosh edhe kodin, pra ra marrëveshja. Po e bën se ka frikë nga humbja e zgjedhjeve. E drejta e koalicionit është standard demokracie
Pra sipas z. Gjata, manovrat e tanishme të Edi Ramës lidhen me sondazhet që paralajmërojnë humbjen e tij. Mirëpo nëse kjo është e vërtetë pse atëherë Partia Demokratike nuk i publikon këto sondazhe? Cila parti nuk do nxitonte të publikonte një lajm të mirë për të? Mos vallë z. Gjata e ka fjalën për sondazhin e gazetës “Shqip” që përfaqëson një histori mjerane të atij që kapet te fija e barit?
Nëse kërkon të marrësh vesh diçka në PD për kompanitë që merren me PR e z. Basha apo partisë, e ke thuajse të pamundur. Madje aq të pamundur sa nis e dyshon se në realitet nuk ka një gjë të tillë. Aty kanë ngecur disa ish-gazetarë paskuintash që janë shndërruar në këshilltarë, njerëz që e kanë shndërruar z. Basha në një njeri që vishet e sillet si picajol me bluza të ngushta dhe xhinse, tipi i njeriut që do bakshish pse të vjen e të takon. Le të nxjerrë pra sondazhet kjo parti dhe të shohim të gjithë situatën e tyre.
Pjesa tjetër e komenteve të z. Gjata është dramatikisht komike nisur nga profesesioni i tij dhe përvoja si drejtues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nuk është primare sot sistemi. Të ndalohet vjedhja e votës. Kemi thënë çështjen e sistemit t’ja shtrojmë referendumit. Nuk mjafton t’i hyjmë me arnime kushtetuese, por duhet të bëjmë një reformë totale kushtetuese. Dhe kjo ti nënshtrohet referendumit popullor
shprehet ai.
Me kë kujtojnë se tallen këta kodoshë? Si do të shtrohet pyetja në referendum: jeni për sistem proporcional, rajonal, mazhoritar? Kush vallë kupton se çfarë do të thotë njëri apo tjetri, sesi njëri apo tjetri përshtatet me vendin përveç ekspertëve apo atyre që merren me politikë dhe kanë përvojë administrative? Le të na thotë ky zotëri që tallet sot me veten, si e lexon ai votën e referendumit të 1994-ës, si votë politike, apo si vullnet kundër disa amendamenteve?
Përvoja e referendumeve është e tillë që dikton nevojën më së paku për seriozitet. Edhe me referendumin për BREXIT u fol se argumenti vetë kërkonte diskutim dhe votë të kualifikuar. Si vallë do të ketë referendum për disa aspekte teknike të një ligji dhe të Kushtetutës?
Është e qartë se PD-ja nuk ka asnjë ide për pushtetin. Ajo ka pritur radhën dhe tani po nuhat se pakënaqësia ndaj Ramës do shndërrohet në votë pro saj. Por edhe të gjithë nuk janë qorra. Zoti Gjata nuk e di me siguri nëse z. Rama nuk do t’i rikthehet marrëveshjes së 5 qershorit. Me siguri që do dalë sërish e do thotë se presioni i opozitës triumfoi mbi frikën e z. Rama nga zgjedhjet. Puna është a e beson kush? A e beson vetë z. Gjata një gjë të tillë? Nëse po, atëherë kemi të bëjmë me një fazë autike të PD-së dhe një parathënie të asaj që do të jetë qeveria e mundshme e saj nesër. Në atë parti tanimë militojnë vetëm njerëz që tundin kokën dhe mund të pohojnë marrëzi edhe më të mëdha se ato të pushtetit të Edi Ramës. Dhe kjo është dyfish fatkeqësi për këtë vend.
Add new comment