A e inkurajon Bibla vetëflijimin përmes mosushqyerjes?

Postuar në 10 Korrik, 2020 00:41
Kaon Serjani - Teolog dhe Apologjet

 

Për të treguar nëse Bibla inkurajon vetëflijimin apo frymëzon dashurinë për jetën, duhen marrë në shqyrtim pasazhe biblike. Le të shohim disa prej tyre.

Teksti i parë përshkruan një episod nga jeta e profetit Elija, i cili njëherë kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time! . . . Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi." (1 Mbretërve 19:4-5).

Kur këqyrim kontekstin e këtij tregimi, bëhet e qartë se Elija po kalon një situatë depresive. Duket se shkak kryesor i kësaj gjendje të rënduar mendore dhe emocionale është bërë ndjenja e dështimit në misionin e tij. Në këtë moment të vështirë të jetës së tij, ai braktis dëshirën për të jetuar, endet nëpër shkretëtirë pa ngrënë e pa pirë.

Po si vazhdon historia? "Ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha". Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë... Ai u ngrit, hëngri dhe piu." ( 1 Mbretërve 19: 5-8).

Çfarë frymëzimi mund të marrë lexuesi i sotëm nga ky tekst biblik? Nëse ka këtu ndonjë deklaratë të Perëndisë (përmes engjëllit) për dikë që do të vendoste të mos ushqehej me qëllim për të vdekur, është ky: "Çohu dhe ha!”

Unë besoj se, në një kuptim, Zoti do i thoshte të njëjtën gjë sot çdokujt që ndihet i lodhur nga vështirësitë e jetës: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty!" Në fakt, i takon Krijuesit të jetës që ta vendos se sa e gjate do të jetë rruga e secilit prej nesh në tokë.

Ky është vetëm një prej shumë teksteve që tregojnë se Zoti i Biblës është PRO JETËS dhe një kundërshtar i mendimeve që nxisin shuarjen e dëshirës për të jetuar.

Urimi për një jetë të gjatë mbi dhé për njeriun nuk është një nocion i izoluar në krishterim. Në narrativën biblike, që nga fillimi është prezantuar se kjo ishte dëshira dhe plani i Perëndisë për njeriun. Në fakt, Perëndia e krijoi njeriun që të mos vdiste kurrë fizikisht, por vetë njeriu zgjodhi vdekjen (Zanafilla 3).

Edhe pas rebelimit të njeriut, dëshira e Perëndisë që njeriu të ketë ditë të gjata mbi dhé, u shpreh prej Tij në urdhërimin e 5-të dekalogut: "Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata.” (Eksodi 20:12).

Pasazhe të tjera në Bibël, theksojnë rëndësinë që ka në sytë e Perëndisë mirëqenia si shpirtërore ashtu edhe fizike e njeriut. Përmendim këtu vargun Mateu 6:31 “Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë... Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.” Të parë këto vargje, në kontekstin e pasazheve të tjera që gjejmë, tregojnë që Perëndia i Biblës jo vetëm që i njeh nevojat fizike për ushqim të njeriut, por Ai përkujdeset në mënyrë të veçantë për këto nevoja jetike të tij.

Një lexues i vëmendshëm i Biblës, do të gjejë udhëzime të qarta dhe detaje për t’u habitur për rëndësinë dhe kujdesin e veçantë që tregon Perëndia për ushqyerjen dhe mirëqenien fizike të njeriut dhe se vetësakrifica deri në vdekje nuk është aspak qëllimi dhe dëshira e Perëndisë për njeriun.

Është e qartë, pra, se askush që lexon Biblën me një mendje të kthjellët, nuk mund të frymëzohet për të dëshiruar një jetë më të shkurtër, por për të kundërtën.

Edhe sikur anëtarët e familjes Josifi do të kishin dëshiruar vetëflijimin, nuk mund të arrihet në konkluzionin që të jenë frymëzuar prej Biblës.

Fatkeqësisht, (ashtu siç ka pasur deri tani) do të ketë edhe të tjerë njerëz që nga ligështimi i zemrës prej halleve të jetës, do të lënë ushqimin për të mos jetuar më.

Unë uroj që të tillë njerëz nuk do të gjenden asnjëherë vetëm, dhe qofshim ne ai zëri i engjëllit të Perëndisë që do t'u japë zemër të vuajturve të tillë dhe do t'u thotë: "Çohu dhe ha, sepse ke edhe shumë rrugë për të bërë!"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.