Marrëzia e anti-racizmit. Nga heqja e fjalëve "zbardhues" nga L'Oreal te rishikimi i ikonave të Jezusit
Vrasja e George Floyd duket sikur ka prekur ndërgjegjen e mbarë botës perëndimore që po sillet sikur racizmi nuk dukje mes saj, apo ishte zhytur katakombeve apo getove të emigrantëve. Përveç protestave normale dhe apelit politik, racizmi po merr vlerë në treg duke imponuar një etiketë më “etike”. Konkretisht kompania më e madhe në botë e kozmetikës, L'Oreal, ka bërë të ditur se do të heqë nga përdorimi fjalë si zbardhues, ndriçues etj.. kompania është kritikuar për këto produkte që zbardhin apo çelin lëkurën.
Marrëzia e kohës që jetojmë nuk njeh limite. Zbardhja e lëkurës mund të jetë çështje zgjedhjeje dhe jo racizmi. Jo. Histeria e Perëndimit, i mësuar me polarizime të këtilla ka arritur deri në produktet kozmetike, a thua ngjyrat ekzistojnë për shkak të njeriut.
Ky qytetërim performativ që bën filozofi jetese spotin publicitar që ecën më shumë nuk di të ndalet. Mediat raportojnë se Peshkopi i Canterburyt, Justin Welby ka deklaruar se në dritën e portestave të “Jetët e Zezakëve kanë vlerë(Black Lives Matter) Perëndimi duhet të shtrojë për diskutim nëse portretizimi i Jezusit si i bardhë është korrekt.
As ia vlen fare të diskutohet se nga nis historia e ikonave dhe portretizimit të Jezusit. Jo, nevojat politike të Perëndimit mund të çojnë në reformimin e çdo gjëje dhe kjo nesër do na quhet emancipim, progres. Çështja është se ikonografia në Europë lidhet me një traditë të tërë të artit dhe kulturës që ka stampuar një imagjinar kolektiv që nuk mundet të zbulojë padashur se vuan nga gabime ideologjike dhe racizmi.
Po shihen protesta kundër busteve dhe statujave të figurave të ndryshme që celebrohen nga një pjesë e popullsisë. Bojë që hidhet mbi to për të kundërshtuar vlerën e tyre të shpallur si pasuri publike. Është e qartë se shumëkush po kërkon një vend në historinë e përbashkët, por këtu aktivizimi politik po ngatërrohet me sentimentin e një shoqërie të tërë që nuk mund të tresë si normale kërkesa të këtilla që revizionojnë historinë. Mundet të vijë dita që edhe muzikën mos ta klasfikojmë, por thjesht të themi: Muzikë. Ose grupit Gipsy King, të procedohet për kompleks inferioriteti.
Perëndimi e ka pranuar zyrtarisht të shkuarën e vet të racizmit dhe kolonializmit e megjithatë kjo autokritikë nuk është konvertuar në vlerë universale brenda tij. Në këtë kuptim sulme të këtilla ndaj simboleve parathonë një luftë civile që nuk kalon pa pasoja. Narrativa që lidh Romën me krishtërimin dhe Perëndimin Mesjetar ka prodhuar këtë qytetërim që shohim sot që ndodhet në zgrip të bindjeve të veta liberale dhe po i minon ato. Është e vështirë të mohosh një trashëgimi kaq të madhe dhe të relativizosh një histori dhe disa vlera kaq lehtë.
Add new comment