Turizmi, sektor strategjik për interesa të një grupi
Kryeministri Edi Rama publikon sot një video promocion për turizmin, vendosur në një hotel në Vlorë. Qytet të cilin kryeministri e quan Zemra e turizmit shqiptar. Ministrja e Financave Anila Denaj shfaqet aty duke prezantuar faktin se hoteli në fjalë është hapur dhe investuar gjatë pandemisë, ndërkohë që i shpjegon administratorit se qeveria po përgatit një paketë të re ligjore për ripunësimin dhe formalizimin e krahut të punës.
Një spot qeveritar artificial për qëllime propagandistike që i rri keq realitetit të turizmit shqiptar në këto kohë.
Shndërrimi i Vlorës në qendër të turizmit mbetet një ambicie personale e z. Rama që ka aprovuar rrugën e Lumit, premton çdo 6 muaj aeroportin, si dhe së fundmi edhe një tunel qindra milionë euro që lidh Radhimën, pra Vlorën me vilat e Green Resort të ndërtuara dhe shitura(me shpresë të Zotit) nga Samir Mane, apo edhe shkurton rrugën drejt vilave të ndërtuara nga Carapuli dhe ministrat e qeverisë së tij.
Nën emrin e kësaj propagande të shpëlarë, ne po paguajmë projekte infrastrukturore që i shërbejnë në të vërtetë një investimi të elitës politike shqiptare e cila ka privatizuar praktikisht vijën bregdetare nga Palasa deri në Jal të Vunoi, ku është pjesa më e bukur.
Në një tjetër video, z. Rama prezanton ndryshimet në fshatin e tij, Vuno, por merr si përgjigje të atypëratyshme një koment që i kujton se po vjedh pronën e njerëzve.
Turizëm po, por në këto vite të qeverisjes së tij, z. Rama ka injoruar atë që është zemra e vërtetë e turizmit të Shqipërisë, Sarandën dhe ka përqendruar investime në Vlorë ku janë edhe vilat e miqve të tij. Të mos paragjykojmë kënd sepse çdo zonë ka të drejtën e zhvillimit, por këtë diferencim e kemi parë edhe më herët dhe interesi është po ai: rruga të vijë aty ku jam unë. Pak lidhje ka kjo me interesin e përgjithshëm.
Add new comment