Taksa për gjigandët e teknologjisë, në horizont një “thyerje” e re SHBA-Europë
Një tjetër përplasje në horizont. Kësaj radhe mes SHBA-ve dhe Europës për të shumëdebaturën taksë europiane mbi gjigantët e internetit. Sekretari i Thesarit në SHBA, Mnuchin, u ka dërguar një letër homologëve të tij në Itali, Francë, Spanjë dhe Britaninë e Madhe, në të cilën e cilëson të paligjshme taksën në fjalë për kompani si Google, Amazon ose Facebook.
Kjo lëvizje që vjen në një kohë kur fushata presidenciale në SHBA ka nisur rrezikon t’i vendosë vendet europiane në pozicionin më të pakëndshëm: atë të objektivit që u ofrohet grupeve të interesit në shtetet që kanë rol kyç në rizgjedhjen e Donald Trump.
Letra e sekretarit për Thesarin, Steven Mnuchin, një ish-bankier i “Goldman Sachs” synon të frenojë negociatat mbi mënyrën se si do të tatohen në Europë kompanitë amerikane, Google, Amazon ose Facebook. Mes rreshtash, kërcënimi është i qartë: do të ketë një hakmarrje tregtare nëse Italia, Franca, Spanja dhe Britania e Madhe nuk bëjnë një hap mbrapa për taksën e Big Tech, e parashikuar në buxhetet që tashmë kanë hyrë në fuqi për këtë vit.
"Ne e kemi bërë të qartë se jemi kundër masave që përqendrohen vetëm në kompanitë digjitale, veçanërisht në shërbimet digjitale që prekin kryesisht kompanitë amerikane", thuhet në letër.
Për momentin, megjithatë, është pikërisht kjo ajo që po ndodh. Katër qeveritë evropiane kanë aplikuar tashmë takën në fjalë, në rastin e Italisë dhe vendeve të tjera, taksa do të ketë 3% të xhiros së shërbimeve digjitale - nga reklamimi, deri në e-commerce, deri te përdorimi i të dhënave - për grupe me madhësi të konsiderueshme.
Ingranazhi i "taksës së internetit", i vënë në lëvizje fillimisht nga Franca dhe Italia, parashikonte t’u lihej hapësirë negociatave me administratën Trump, pasi në bazë të nismës, kompanitë Big Tech do t’i paguajnë në vitin 2021 taksat e vitit 2020.
Ka pasur një përpjekje për të negociuar një kompromis, mbështetur edhe nga OECD në Paris, që kishte të bënte me të drejtën e administratës amerikane për ta balancuar në njëfarë mënyre këtë taksë me kompaninë europiane të luksit që e zhvillojnë aktivitetin në SHBA. Por letra e Mnuchin hedh poshtë çdo mundësi kompromisi dhe rikthen mundësinë e hakmarrjes tregtare nga ana e SHBA-ve.
Administrata amerikane "nuk beson se viti 2020 është koha e duhur për t’i zhvilluar këto negociata", shkruan sekretari i Thesarit. "Tani qeveritë në mbarë botën duhet të përqendrohen në problemet ekonomike që lindin nga Covid-19".
Në fund, Mnuchin shprehet qartë: "Nëse vendet europiane vendosin t'i ekzekutojnë ose miratojnë këto taksa, Shtetet e Bashkuara do t'i përgjigjen me masat e duhura reciproke".
Në ditët në vijim pritet një letër përgjigje, e hartuar në unison nga homologët europianë të Mnuchin. Tashmë është e qartë se ata nuk do të mund të heqin dorë nga masat që janë miratuar.
Pra, është konkrete mundësia që muajt e ardhshëm, Shtëpia e Bardhë të publikojë një listë të produkteve italiane, franceze, britanike dhe spanjolle që do të preken nëse të katër vendet mbledhin "taksën e internetit" të grumbulluar këtë vit, në fillim të vitit 2021. Në fund, këto erëra të luftës tregtare favorizojnë “varkën” e Trump-it. Për rizgjedhjen e tij në nëntor, ai duhet të fitojë zonat elektorale në Florida, Michigan, Pensilvania dhe Uiskonsin, dhe kërcënimi për masa ndaj konkurrentëve të huaj, në ato katër shtete federale mund t’i sjellin më shumë vota
TvT/Corriere.it
Add new comment