Shqipëri e vërtetë është edhe kjo. Madje kjo është Shqipëria
Shqipëria e vërtetë punon, Shqipëria e vërtetë prodhon
Kjo është një frazë që kryeministri Edi Rama me ministrat e vet e përdorin si një formë antiteze ndaj Shqipërisë që tregon media.
Një fshatar, një fermer, një zanatçi, një student e sapodiplomuar jashtë, këta dhe të tjerë janë lënda e parë e kësaj fabule, e kësaj përralle të mbrame që mbron Shqipërinë e rilindur.
Pushteti, çdo pushtet do të gjejë përherë diçka për t’u mbrojtur. Për të deklaruar: ja se çfarë bëmë ne që askush para nesh nuk e bëri.
Pretendimi i z. Rama është gjithësesi atipik. Ai referon njeriun e thjeshtë si dëshmi të zbatimit të programit të tij reformues dhe si aleat të deklarimeve të veta. Ndërkohë që karakterizon qeverinë e luksit, kontratave miliardëshe dhe guston e favorizimit të më të pasurve.
Një qytetar i zakonshëm duhet të paguajë për çdo shërbim: në polici, në gjykatë, në prokurori, në administratë, në spital, në bashki. Duhet patjetër ta lyejë rrotën e qerres që tërheq zvarrë një vend të tërë. Dhe duke e bërë këta ka rast të shohë me sy e të prekë me dorë, të ndjejë padrejtësinë, shijen e hidhur sa më s’ka të saj, të kuptojë se përse disa qëndrojnë lart e të tjerët poshtë. Se pse për disa gjërat janë kaq të thjeshta, kurse për shumicën procedura është asfiksuese. Ky është parimi i Maliqit, që kaq mirë aplikohet në këtë vend.
Nuk është edhe kjo atëherë Shqipëri e vërtetë? Madje më therëse sesa puna e atij fermerit, zanatçiut? A nuk është e vërtetë vjedhja në masë, korrupsioni, rryshfeti, krimi me pushtet? A nuk është pjesë e së vërtetës së jetës sonë gënjeshtra, mashtrimi i pushtetit? A nuk është një e vërtetë monumentale paprekshmëria e njerëzve si z. Rama, Basha, Berisha dhe Meta?
Pse vallë këto janë llafe mediash kurse puna e atij fermerit është e vërteta? Nuk ecën ky mashtrim më, ky bishtnim, ky lloj injorimi i një të vërtete që nuk ka sesi të jetë virtuale. E shpikur. Është Shqipëria e vërtetë, Shqipëria e padrejtësisë, e këtij vendi ku politika ia doli që t’I ndajë njerëzit prej saj. E ktheu atë në një vend të pajetueshëm, të pashpresë dhe ku modeli I suksesit është vetëm gënjeshtra dhe lëpirja pranë pushtetit. Një vend i shndërruar në flamur kufijsh për pronat e politikës që bën marrëveshje, i zhbën ato, i shpall dhe i flak, duke u harruar një fakt fare elementar që e zhbën fabulën dhe kapardisjen e saj: e gjetën këtë vend të fundit dhe po e mbajnë të fundit. Madje po e zhysin përherë e më thellë. E bëjnë këtë duke shtuar dozën e mburrjes në krenarinë e dhjerë mbarë e prapë të arritjeve të hiçgjëkundit.
Add new comment