Të mësojmë të gjithë nga shembulli i Ardit dhe Zaidës

Postuar në 07 Qershor, 2020 21:37

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ishte sot lajmi i ditës. Ai u shfaq në një foto me qytetaren Zaida Çobo, të cilën e përgojoi në Komision Parlamentar e të cilës i ka kërkuar falje. Më vonë Çobo deklaroi se do të tërhiqte edhe padinë, sepse siç citohet të jetë thënë ajo “jemi njerëz mbi të gjitha". 

Në fakt dinjiteti i njeriut e kërkonte që Ardi Veliu të ishte shkarkuar me turp për uniformën që mban. E kundërta ndodhi: ai sot u bë heroi i ditës me ndjesën e thellë që ia imponon qytetaria e kurdisur nga një operacion i vockël marketingu pas së cilit qëndron kryeministri. 

Nuk kemi pse çuditemi; nuk është hera e parë që shqiptarët tregohen kaq liberalë me dinjitetin. Kujtoni Gërdecin, 21 janarin, aksidentin e Kavajës për të kuptuar se politika arrin përherë ta gjejë gjuhën me familjarët e viktimave. 

Kështu edhe kësaj radhe, aq më tepër që Veliu nuk bëri ndonjë gjë të madhe: u mor me llafe. Po edhe puna që bën këtë ka në thelb: të përgojojë në kritere profesionale dhe me prova qytetarët. Ndryshe kjo quhet për konveniencë: përgjegjësi penale. 

Ndaj Veliu është aty ku duhet të jetë: polic në një shoqëri që i ka thënë lamtumirë dinjitetit. I cili ky i fundit aty është dhe pa lekë madje. Mjafton ta veshësh si kostum e të bëhesh etalon rrjetesh sociale. Shikoni ndjesën e Veliut sa dinjitoze është. Shikoni faljen e Çobos sa e fisme duket.

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

Mire qe nuk na kane kerkuar te dalim neper ballkone, te duartrokasim ... per kete akt madhor qe paskan bere keta!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.