Mbi (pa)mundësitë kushtetuese për shpërndarjen e Parlamentit
Në muajin shkurt 2010, në një lëvizje të paprecedentë, deputetët e partive opozitare në Kuvend dhanë të gjithë dorëheqjen nga mandati i tyre. Ky veprim vuri në lëvizje mekanizmat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor për zëvëndësimin e tyre, nga kandidaturat e mbetura në listat e propozuara nga partitë opozitare në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ky proces nuk përfundoi në tërësinë e tij, për shkak se vetëm një pjesë e tyre pranuan mandatin dhe bënë betimin ndërsa pjesa tjetër refuzoi.
Nga ky proces, Kuvendi mbeti me 122 deputetë. Ky moment ka krijuar idene për një ilegjitimitet të Kuvendit, pasi sipas nenit 64 pika 1 e Kushtetutës rezulton se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Mospërputhja e numrit 140 që kërkon Kushtetuta me numrin aktual të deputetëve, 122, është argumenti që shpesh herë artikulohet, nga aktorë të ndryshëm, por edhe nga Presidenti, për shpërndarjen e Kuvendit.
Por a qëndron kjo si arsye për një shpërndarje të Parlamentit?
Ekzistenca e parlamenteve që kanë funksionuar me përbërje jo të plotë, megjithëse të rralla njihen në praktikën botërore. Por pa u zgjatur në shumë shembuj po i referohemi vetë Shqipërisë. Kështu Asambleja Kushtetuese e zgjedhur në vitin 1923, në vitin 1925, u hoqi mandatin rreth 1/3 së anëtarëve të saj (deputetë që kishin marrë pjesë në lëvizjen e qershorit 1924), por kjo nuk e pengoi këtë Asamble që të merrte vendime të rëndësishme si shpallja e Republikës, zgjedhja e Presidentit si edhe hartimi i një Kushtetute të re (Statuti Themeltar i Republikës).
Për t’u kthyer në kohën e sotme. Nuk rezulton që asnjë institucion në Shqipëri ta ketë vënë në dyshim Kuvendin aktual, madje as vetë Presidenti i Republikës. Kështu gjatë periudhës mars 2019 – maj 2020 nga Presidenti i Republikës:
- Janë shpallur 92 ligje
- Janë kthyer për rishqyrtim 23 ligje
- Është dërguar për miratim 1 ministër
- Është realizuar betimi për 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur nga Kuvendi.
- I ka dërguar për miratim kandidatura për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit
Interesant në këtë statistikë është fakti se edhe për ligjet e kthyera, Presidenti asnjëherë nuk i ka kthyer për shkak se e ka konsideruar ilegjitim Kuvendin, por për arsye të tjera. Pra nga kjo tërësi veprimesh, Presidenti e njeh plotësisht legjitim Kuvendin, madje ndërvrepron me të. Kjo është një pjesë që nuk është sqaruar asnjëherë nga Presidenti dhe madje përbën një sjellje kontradiktore të tij. Kështu nuk kuptohet nëse Presidenti është bashkëfajtor në shkeljen e Kushtetutës që ndërvepron me një Kuvend ilegjitim, apo edhe për atë Kuvendi, pavarësisht përbërjes jo të plotë, është legjitim? Për këtë situatë, çuditërisht edhe gazetarët tanë, jashtëzakonsisht profesionist të Shqipërisë, nuk e kanë pyetur ndonjëherë Presidentin. Pavarësisht këtyre “dilemave”, sjellja e Presidentit prej më shumë se një vit tregon se Kuvendi është plotësisht legjitimim të paktën në sytë e tij.
Nga ana tjetër vetë Kushtetuta, ndryshe nga sa pretenon Presidenti se nuk është e qartë në lidhje me shpërndarjen e Kuvendit, në fakt parashikon në mënyrë precize vetëm tre raste të shpërndarjes së Kuvendit dhe ato janë:
- kur Kuvendi nuk zgjedh dot Presidentin e ri (neni 87)
- kur nuk zgjedh dot Kryeministrin e ri në fillim të çdo legjislature apo kur pozicioni i tij mbetet vakant (neni 96)
- kur rrëzohet mocioni i besimit kundrejt Kryeministrit në Kuvend (neni 104).
Madje nga këto raste vetëm dy rastet e fundit shpërndarja e Kuvendit bëhet nga Presidenti. Në rastin e parë ajo bëhet vetiu. Jashtë këtyre rasteve është e kuptueshme që Presidenti nuk ka mundësi veprimi.
Teoritë për interpretimin e “frymës” së Kushtetutës, janë përpjekje të dëshpëruara në rastin më të mirë. Nga tërësia e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, por edhe në botë, kjo metodë përdoret rrallë dhe gjithmonë në kuadër të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Por në asnjë rast kjo nuk zbatohet për institucionet kushtetuese dhe shtetërore të cilat duhet të veprojnë vetëm brenda kompetencave të tyre të dhëna shprehimisht nga Kushtetuta. Nëse këto organe do të vepronin dhe jashtë tagrit të shprehur, atëherë asnjë Kushtetutë nuk bëhet mbrojtëse e demokracisë.
Gjithashtu, teoria e shpërndarjes së Kuvendit paraqet një problem. Çdo shpërndarje e këtij institucioni duhet që të shoqërohet më shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Por siç e tregoi përvoja e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, Dekreti i Presidentit për shpalljen e datës së zgjedhjeve vendore me 13 tetor u injorua nga çdo institucion shtetëror. Pra, Presidenti nuk ka tagër ta detyrojë Kuvendin që të shpërndahet si edhe nuk ka forcën që të detyrojë institucionet respektive të organizojnë mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e ri.
Për këtë arsye, Dekreti i Presidentit për shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme, jo vetëm që nuk gjen zbatim, por do të konsiderohej si “thirrje e bërë publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues”(neni 233 i Kodit Penal) apo edhe si “shpërdorim detyre” (neni 248 i Kodit Penal). Kjo do të conte nisjen e një hetimi nga ana SPAK (neni 135 i Kushtetutës) kundrejt Presidenit dhe me shumë mundësi dhe “arrestimin” e tij.
Në mënyrë krejt ironike Kushtetuta e Shqipërisë, nuk ofron mbrojtje të Presidentit nga arrestimet apo ndalimet. Kjo sepse Kushtetuta për Presidenntitn, ndryshe nga deputetët dhe ministrat, nuk parashikon asnjë procedurë për kërkimin e lejes, autorizimit apo heqjen e imunitetit për Presidentin. Pse ka ndodhur kjo situatë është ende me e mistershme. Kështu nga debatet kushtetuese nuk rezulton që kjo pjesë të jetë diskutuar në Komisionin për Hartimin e Projekt-Kushtetutës. Por nga debati del që modeli në këtë rast është marrë nga Italia. Nëse i refohemi doktrinës italiane (mund të përmendim Zagreblesky, Ruggeri, Spadaro, Teresi etj), në Itali Presidenti qëllimisht është lënë pa këtë mbrojtje pasi, nëse do arrinte situata kur duhej të arrestohej Presidenti, pra ai e kishte bërë vetën që të arrestohej, atëherë kjo mbrojtje ishte komplet e pavend.
Për mirë apo për keq, ky model u kopjua dhe nga ne (megjithëse duket pa vetëdije) dhe për rrjedhojë rezulton ajo që thamë më sipër, Presidenti mund të arrestohet në çdo moment. Arrestimi/ndalimi i tij do të sillet pamundësinë e Presidenit për të ushtruar detyrën dhe sipas nenit 91 të Kushtetutës, në këtë rast detyrat e tij i ushtron Kryetari i Kuvendit. Pra, qëllimi i Presidentit në fakt do të cconte pushtetin në duart e Partisë Socialiste. Në këtë rast për formë, Kuvendi do të shtonte hetimin për shkarkimin ndaj Presidentit, por nuk do kishte ndonjë nxitim, mjaftonte që ai të mbahej në gjendje arresti.
Nga ana tjetër edhe një mendim i artikuluar se Presidenti, si Komandat i Përgjithshëm, do të mund të përdorte Forcat e Armatosura, nuk rezulton të ketë ndonjë mbështetje juridike. Kushtetuta në nenin 169 parashikon se Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Pra zinxhiri komandues kërkon që Presidenti urdhërat e tij për përdorimin e Forcave të Armatosura t’i kalojë nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. Është e kuptueshme që ndonjë urdhër i tillë i mundshëm thjesht do të injorohej.
Nga kjo analizë qartazi rezulton që jo vetëm nuk ka asnjë shkak për shpërndarjen e Kuvendit por edhe çdo tentativë për ta realizuar do të ishte joproduktive duke shtuar pushtetin e Partisë Socialiste.
ResPublica
Add new comment