Për cilin treg e ka fjalën ministri?
Sot, ministri i Turizmit Blendi Klosi është pyetur në një intervistë televizive për çmimin e çadrave në plazhe të caktuara të Shqipërisë që raportohen deri në 50 euro. Ministri është përgjigjur se këtu shteti nuk ndërhyn dot sepse është çështje e kërkesë - ofertës dhe tarifave të pushtetit vendor. Edhe pse Klosi ka shtuar se për shkak të situatës nuk do ketë rritje çmimesh, ky qëndrim stonon tërësisht me qasjen e pretenduar sociale të qeverisë gjatë karantinës, kur mori përsipër që të ndëhrynte në një marrëdhënie kontraktuale qiramarrës-qiradhënës, apo punëdhënës – i punësuar.
Jo vetëm kaq, por nuk ka ministër që të ketë një fije begenisje për atë që quhet qeverisje që të flasë në këtë mënyrë, në një sezon të jashtëzakonshëm ku burimi kryesor i turizmit është turisti shqiptar.
Kjo është një tarifë që nuk duhet përgjithësuar, pasi p.sh Bashkia Sarandë ka javë që reklamon çmime të ulëta dhe plazhe falas. Pra mund të kemi një zonë të kufizuar ku kjo tarifë aplikohet. Mirëpo Shqipria është një vend ku plazhet publike janë uzurpuar dhe qeveria ku bën pjesë z. Klosi bën sikur nuk shikon, ose bën shfaqaje si ajo e ndërhyrjes së policisë vitin e shkuar.
Rëndësi këtu ka qetësia me të cilën ky “socialist” pranon faktin se në Shqipëri, në mes të krizës më të rëndë, tolerohet një çmim i tillë, kur askush nuk e di se kujt i përkasin plazhet dhe se ku është hapësira publike. Nëse ky është një qëndrim i Klosit, kemi pse të ngushëllohemi, pasi për ata që ndjekin politikën zotëria është në politikë pa asnjë gjurmë dhe ka parë punën e vet. Nëse ka patur ndonjë të tillë. Nëse kjo është qasje e qeverisë, atëherë duhet të shqetësohemi.
Add new comment