Karburanti i Kastratit në Lungomare, policia pengon protestën e banorëve të Vlorës
Qytetarët e Vlorës protestuan sot kundër kundër ndërtimit të një pike karburanti në shëtitoren e Skelës. Që në nisje të kësaj proteste, policia e Vlorës u kujdes që mos të kishte grumbullime masive. Nën udhëzimet e drejtuesve më të lartë të policisë, u krijua një perimetër sigurie, afërsisht 2 km nga pika e karburatit. Kjo bëri që në protestën e paralajmëruar prej disa ditësh nuk pati pjesëmarrje masive. Organizatorët janë arrestuar nga policia për grumbullim masiv në kohë pandemie. Protestuesit nënshkruan dhe një peticion, drejtuar kryeministrit Rama, të cilit i kërkojnë anulimin e këtij ndërtimi, në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat.
Kjo e sotmja nuk ishte protesta e parë kundër ndërtimit të karburantit në Lungomare. Prej ditësh, banorët e Vlorës e kundërshtojnë këtë projekt, i cili sipas tyre nuk është konsultuar me ta. Sipërfaqja prej 432 metra katrorë në shëtitoren e qytetit bregdetar po shfrytëzohet nga kompania “Kastrati”, të cilës i është dhënë leja për ndërtimin dhe zgjerimin e kësaj pike karburanti me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit të firmosur nga vetë kryeministri Rama, më datë 17 maj të vitit të kaluar.
Drejtuar Kryeministrit Edi Rama.
Zoti Kryeministër,
Sot në datën 7 Maj, 2020 në Vlorë u organizua një protestë kundër ndërtimit të një pike karburanti në shëtitoren e Skelës, e quajtur ndryshe Lungomare. Ky tubim qytetarësh ka si qëllim të protestojë për: Mungesën e konsultimit të qeverisë me qytetarët vlonjatë në marrjen e vendimeve urbanistike që ndikojnë direkt mbi jetën tonë. Ndërtimin e një objekti absolutisht të dëmshëm për shëtitoren dhe imazhin e zonës së Skelës. Ne jemi më shumë të indinjuar kur shohim se leja e ndërtimit është firmosur direkt nga ju. Ju kërkojmë në emër të qytetarëve të kësaj proteste, të pjesëmarrësve të protestës që: Pika e karburantit Kastrati në Lungomare të prishet brenda datës 15 Maj, 2020. Në të kundërt ne do të përshkallëzojmë protestat tona!
TvT
Comments
Po te behet nje fushate
Po te behet nje fushate bojkotimi te atij karburanti, e shtrire ne kohe dhe e qendrueshme, do e bente te pavlere e te veteshkaterrueshem ate strukture.
Add new comment