Propaganda fiton përherë mbi opozitarizmin e Llogjeve

Postuar në 03 Maj, 2020 14:02

Lexoni si fillon një lajm i raportuar sot: 

Kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit i dha mundësi Kryeministrit Edi Rama që të zgjerojë rolin e tij politik dhe institucional. Në këtë përfundim mbërrin një raport i fondacionit gjerman “Friedrich Ebert

Titulli i lajmit: RAPORTI: Pandemia në Shqipëri u përdor për zgjerimin e pushtetit

Përputhen këto me njëra-tjetrën? Nuk do shumë mend të kuptohet që Jo. Nga shtimi i rolit politik dhe institucional te zgjerimi i pushtetit ka dallim të madh. Shtimi i rolit ka një kontekst të caktuar. Zgjerimi i pushtetit do të thotë marrje kompetencash të pushteteve të tjera. Që nuk ka ka ndodhur dhe s'ka sesi të ndodhë për një arsye fare banale: Edi Rama kontrollonte edhe para pandemisë Parlamentin, kontrollonte në masë të madhe KED, strukturat e reja të drejtësisë, pushtetin vendor plotësisht dhe një pjesë të medias. 
Këto janë provuar dhe dëshmuar me kohë ndonëse nuk janë pranuar prej shumëkujt. 

Dhe mes këtyre “shumëkujt" janë edhe aktorët ndërkombëtarë që mbyllën sytë para çdo gërryerjeje të demokracisë në këtë vend, që toleruan pervertimin e rregullit demokratik në ritual të kontrolluar nga një njeri, toleruan skandalet në drejtësi dhe qeveri dhe në fund mbyllën sytë edhe para skandalit të përgjimeve. Me një vendim të paprecedent dhe të paarsyetuar i dhanë Edi Rames një Po për negociatat, duke e braktisur kështu Shqipërinë në përpjekjen e saj modeste për ta kufizuar këtë lloj pushteti. Europa zgjodhi gjoja stabilitetin më vend të demokratizimit, për arsyen e thjeshtë se pushteti në Shqipëri është i kontrollueshëm nga Jashtë në çdo moment. 

Sot Edi Rama ka rritur vizibilitetin në një dritë pozitive nisur nga menaxhimi i mirë, ose edhe shumë i mirë i epidemisë nga pikëpamja e shëndetit publik. Ta sulmosh atë sot me alarmin se ka shumë pushtet është të tradhëtosh veten për mungesën e argumenteve.

Edhe opozita që sot po na qan hallet, por që është e gatshme për çdo marrëveshje, ka ngecur në akuzën monotone  se po vendoset diktatura. Kur ajo që sot kërkohet dhe është sfidë është ekonomia.

Në një krizë si kjo përgjithësisht qeveritë priren të liberalizojnë kontrollin dhe politikat fiskale, çka nëse ndodh edhe këtu i lë me gisht në gojë këta që sot po qahen se na iku demokracia nga shalët. 

Asnjë program, asnjë alternativë, asnjë ekip i besueshëm. Vetëm histerikë që merr një raport andej, e kap një tender aty për të thënë: jemi edhe ne. 

Pa folur pastaj për kompleksin që nuk shqitet: Raportin e ka bërë një fondacion i huaj dhe kjo ka rëndësi edhe pse aty shkruhen po ato gjëra që i shohim vetë. Për ta thënë shkurt: Propaganda fiton mbi Llogjet. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.