Biznesi, i pakënaqur nga paketa financiare. Agolli: Nuk na u plotësuan kërkesat
Biznesi i vogël është i pakënaqur me paketën financiare që qeveria bëri publike tre ditë më parë, për përballimin e situatës së vështirë që ka krijuar pandemia e koronavirusi. Në një bisedë në studion e lajmeve të shtunën, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël për Tiranën, Shpëtim Agolli, tha se qeveria nuk ka plotësuar kërkesat që ky biznes i ka parashtruar qeverisë disa javë më parë.
“Biznesi i vogël hyn në një grup të caktuar, që ka një limit 0-140 milionë lekë qarkullim vjetor. Të gjitha llojet e aktivitetit kalojnë nëpërmjet biznesit të vogël dhe të mesëm. Shpesh ka edhe konfuzione edhe për shkak të paketës që emetoi qeveria. Ne me 25 shkurt i çuam qeverisë një kërkesë me 11 pika. Ne i druhemi një pandemie për biznesin. Nga kërkesat kryesore kemi parë mundësinë e hapjes së ndonjë biznesi nëpër rrethe ku nuk ka prekur koronavirusi dhe mundësinë e shtyrjes së detyrimeve tatimore dhe gjobave. Nga 11 pikat që i kërkuam qeverisë, 2 ose tre u realizuan të cunguara. Për të tjerat nuk kemi përgjigje. Paketa financiare që prek direkt biznesin e vogël, janë 65 milionë dollarë. E gjithë paketa është 220 milionë dollarë”, tha ai.
Sipas Agollit, masat kufizuese për shkak të pandemisë kanë lënë aktive vetëm 12% të bizneseve të vogla dhe të mesme. Kjo do të thotë, të paktën 200 mijë punonjës që rrinë në shtëpi.
“Numri i biznesve aktive të vogla dhe të mesme janë 85 mijë. Nga këto, sipas VKM, punojnë furra buke, ushqimore dhe farmaci, pra rreth 12% e totalit. Të gjithë punonjësit në Shqipëri janë 550 mijë. Në shoqatën tonë janë të organizuar rreth 300 mijë punonjës. Heqim 12% nga këta, rreth 200 mijë njerëz janë pa punë. Pjesa më e madhe e tyre kanë rrogë minimale, pra 260 mijë lekë të vjetra. Paketa e qeverisë nuk i plotëson kërkesat tona”, tha ai.
Krahas mosplotësimit të kërkesave të biznesit, sipas Agollit, paketa nuk ndan në mënyrë të qartë mënyrën se si do të shpërndahet ndihma e qeverisë dhe kush përfiton prej saj.
TvT
Add new comment